BALLKAN, 12 Prill 2023, 16:03

Plagosja e serbit në Veri të Kosovës, KFOR dënon sulmin: Të hetohet ngjarja, përgjegjësit para drejtësisë

Plagosja e serbit në Veri të Kosovës, KFOR dënon sulmin:

Reagimeve për ngjarjen në Zveçan, ku një serb u plagos, iu është bashkuar dhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. Ky i fundit ka dënuar incidentin e 10 prillit, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kryejnë hetim për këtë ngjarje dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

“KFOR po vazhdon të monitorojë situatën dhe është krejtësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, u tha në deklaratën e misionit në Kosovë të aleancës ushtarake perëndimore.

Më 11 prill, Policia e Kosovës njoftoi se ka pezulluar katër zyrtarë policorë që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast, përfshirë edhe njërin që dyshohet se mund të ketë shtënë me armë zjarri.

Fillimisht, Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen në këtë rast, por më pas reagoi duke pezulluar oficerët.