BALLKAN, 17 Mars 2023, 11:50

Osmani: Një marrëveshje në Ohër, do të mundësonte njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë

Osmani: Një marrëveshje në Ohër, do të mundësonte

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se nëse ditën e nesërme në Ohër, do të arrihet një marrëveshje në takimin mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit, do të mundësonte njohjen reciproke midis dy vendeve.

Deklaratën, Osmani e dha gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Prishtinë me të Dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Pritshmëria nga ana ime si presidente është që marrëveshja të sjellë rezultate konkrete, të prekshme për Kosovën, do të sigurojë integrimin e Kosovës në proceset euroatlantike, integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Kosovës; kjo do të rezultojë më pas me shpërbërje të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale serbe.

Po ashtu kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat do ta shtrojnë rrugë drejt njohjes reciproke”, theksoi ajo.

Osmani tha se vizita e Escobarit rikonfirmon përkushtimin tonë të përbashkët për të bërë progres në dialog.

“Kosova do të vazhdojë të angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe me qasje konstruktive, siç ka bërë përgjatë gjithë këtij procesi, e sidomos tani, duke e kuptuar momentumin e rëndësishëm që e paraqet takimi në Ohër”, nënvizoi presidentja.