BALLKAN, 17 Mars 2023, 11:41

Sondazhi i UBO, 76 për qind e kosovarëve kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Sondazhi i UBO, 76 për qind e kosovarëve kundër Asociacionit
Protesta në Kosovë kundër asociacionit

Gati 76 për qind e kosovarëve janë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Omnibusi të fundit të kompanisë UBO Consulting, raporton Express.

75.9 për qind e kosovarëve janë pajtuar me deklaratën se “Kosova nuk duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, derisa 18.4 përqind s’janë pajtuar me këtë deklaratë.

77.9 për qind e të anketuarve janë të mendimit se “Kryeministri Albin Kurti nuk duhet të pranojë asnjë kusht nga asnjë palë që kërkon krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Me deklaratën se “Kuvendi i Kosovës duhet të shfuqizojë Marrëveshjen e vitit 2013 ku parashikohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, janë pajtuar 68.1 përqind e të anketuarve, derisa 26.2 përqind mendojnë se Kosova duhet të japë më shumë për të garantuar të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.

Sondazhi i UBO, 76 për qind e kosovarëve kundër Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 13 mars se është duke i trajtuar 15 modelet evropiane të ofruara nga Bashkimi Evropian për krijimin në Kosovë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti, gjatë një vizite në Kamenicë më 13 mars, nuk deshi të përmendte modelet që BE-ja u ka ofruar autoriteteve të Kosovës, por tha se disa janë më të hershme, e disa edhe rishtazi, që përdoren në shtetet evropiane ku jetojnë pakica kombëtare.