BALLKAN, 15 Mars 2023, 14:17

Kurti i kërkon Parlamentit Evropian mbështetje për anëtarësim në BE

Kurti i kërkon Parlamentit Evropian mbështetje për

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka kërkuar eurodeputetëve mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Këtë kërkese ai e bëri gjatë vizitës së 15 marsit në Parlamentin Evropian, ku u takua me përfaqësues nga dy grupime të PE-së në Strasbourg – grupin e deputetëve nga Partia Popullore Evropiane (EPP), që është edhe grupi më i madh politik, dhe grupin e të gjelbërve.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor, ndërsa në Këshill të Evropës në majtë vitit të kaluar, shkruan REL.

“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e dhjetë të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.

Ndërsa gjatë ditës pritet të takohet edhe me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.