BALLKAN, 15 Mars 2023, 11:02

Djathtistët serbë sërish protestojnë kundër propozimit evropian

Djathtistët serbë sërish protestojnë kundër propozimit

Në Beograd më 14 mars u mbajt edhe një protestë e djathtistëve serbë kundër propozimit evropian për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Folësit para protestuesve u prezantuan si studentë nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Beogradit dhe thanë se kjo ishte një “protestë demokratike”. Protestuesit mbanin simbole nacionaliste dhe të krahut të djathtë.

Në platonë e Fakultetit të Filozofisë, organizatorët iu adresuan turmës, e cila brohoriste “tradhti” dhe “nuk do ta japim Kosovën”.

Organizatorët e protestës kërkuan që në takimin e Ohrit, më 18 mars, propozimi evropian të refuzohet publikisht, të merret vendim që të hiqet dorë nga negociatat dhe të mos zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe të nisin negociatat nën ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara.

Protesta paraprake, që u mbajt më 7 mars, u njoftua përmes rrjetit rus, Telegram. Protesta u thirr nga organizata e paregjistruar e të djathtës ekstreme Patrulla e Popullit, që ka organizuar disa protesta për të kundërshtuar politikat e Qeverisë serbe karshi Kosovës.

Organizatat dhe lëvizjet e krahut të djathtë në Serbi kundërshtojnë propozimin evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt, gjatë takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan se nuk ka nevojë për negociata të mëtejme për këtë dokument dhe shprehën gatishmërinë që të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Kjo përfshin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Po ashtu aty futet edhe përkushtimi i tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.