TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ekspertë të sigurisë thonë se tensionet në Veri, ndërlidhen me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe më shumë se sa me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 23 prill. Kështu, eksperti Avni Islami, pohoi se nga zgjedhjet në veri, nuk pret tensione si dikur.
“Duke pasur parasysh që marrëveshja e Ohrit është e obligueshme dhe se për këtë është pajtuar edhe vetë Serbia, unë nuk pres tensionim të situatës në veriun e Kosovës, ashtu siç kemi pasur kohë më parë, kur kishte të vendosura barrikada në rrugë, e grupe kriminale të dirigjuara nga Aleksandër Vuçicc, madje kishin përdorur edhe armët e zjarrit”, tha Islami për Radio Kosovën.
Eksperti tjetër i sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se në veri të Kosovës ka grupe terroriste që në vazhdimësi terrorizojnë serbët në veri, e herë pas here ndërmarrin edhe aksione kundër organeve shtetërore të Kosovës.
Sipas tij, përkeqësimi i situatës në veri, varet direkt nga urdhrat që vijnë nga Beogradi zyrtar. “Leja se sa do të jetë ky destabilizim merret në Beograd, duke e parë disponimin e faktorëve të jashtëm. Ndërkohë që, mendoj se për shkak të prezencës së KFOR-it, në veri, nuk do të ketë hapësirë dhe kapacitete që të përshkallëzojë situata deri në atë masë sa për të rrezikuar skajshmërisht rendin kushtetues të Republikës së Kosovës ”, tha Kajtazi.
Grupe të organizuara serbësh në veri të Kosovës, të nxitur nga Lista Serbe dhe drejtuesit e Serbisë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, mjaft shpesh kanë krijuar tensione e ngritur barrikada në rrugë.
Barrikadat e fundit, të vendosura me 5 nëntor 2022, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS, nuk u hoqën deri në fund të dhjetorit.