BALLKAN, 7 Prill 2023, 16:34

Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, Kurti takohet me ambasadorët e vendeve të QUINT-it

Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, Kurti takohet me ambasadorët e

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Mësohet se aneksi për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ishte temë diskutimi në këtë takim, ku i pranishëm ishte dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Ky i fundit bashkë me Kurtin informoi përfaqësuesit diplomatikë mbi rezultatet e takimit të 4 prillit në Bruksel dhe pritjet nga ky proces, vazhdon njoftimi.

“Ata shprehën përkushtimin e tyre të plotë për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e Qeveris.

Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri më 4 prill për deklaratën për personat e pagjetur. Bislimi ka deklaruar më herët se takimi i nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçi; – do të mund të zhvillohet më 22 prill. Mirëpo, BE-ja ende nuk e ka konfirmuar datën.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.