TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Lëvizja e Peshqirëve”, është kjo nisma që është ndërmarrë kohët e fundit në Greqi. Nisma ka për qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe të cilat janë zaptuar nga privati. Te “Lëvizja e Peshqirëve” kanë denoncuar raste abuzive edhe vetë pushuesit, që ankohen për çmimet e larta të çadrave që arrijnë deri në 120 euro, shkruajnë mediat greke.
Duket se lëvizja po jep fryte, si në Paros aty ku Lëvizja Qytetare për Plazhet e Lira vendase nisi ndërhyrjet e saj të para shoqëruar me protestë, ashtu edhe në ishuj të tjerë. Lëvizja solli efekt të menjëhershëm pasi u hoqën shezlonget dhe çadrat e vendosura ilegalisht në plazhe publike dhe kjo falë aktivizimit të organeve kompetente shtetërore pas evidentimit të çështjes në media.
Nisma që ka nisur në Paros është një lëvizje e gjallë e qytetarëve për mbrojtjen e hapësirës publike. Nisma është përgëzuar edhe nga drejtuesit lokal të cilët thanë se nuk do të lejojnë asnjë arbitraritet të biznesmenëve në plazhet publike.
Ky problem është shumë i mprehtë në Shqipëri, ku plazhet publike nuk ekzistojnë, edhe pse ligji thotë se 20 për qind duhen lënë për qytetarët, ndërsa në plazhet private të zëna abuzivisht janë parë skena të shëmtuara të sherreve mes abuzuesve dhe pushuesve.