TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndërmarrja “Trepça” ka dalë me një njoftim rreth situatës së krijuar pas grevës së minatorëve të minierës.
Në njoftim thuhet se sabotimi dhe bojkotimi i punës nuk është zgjidhja e problemeve.
“Fotot më poshtë janë vetëm disa nga ato që janë marrë nga kamerat e sigurisë të Trepça Sh.A. dhe që janë vendos për të ruajtur pronën dhe sigurinë e ndërmarrjes. Nga këto foto shihet qartë sabotimi dhe bojkotimi i punës, hyrje-dalje të pakontrolluara të punëtorëve si dhe sjellja e drekave e darkave për sabotuesit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit thuhet se menaxhmenti i Trepça Sh.A. do të ndërmerr shumë shpejtë vendime që do të bazohen në argumente dhe fakte, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrja të kthehet në binarët e vet të funksionalizimit.
Sot është dita e gjashtë që kur ka nisur greva e minatorëve. Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi ka thënë për Telegrafin se vetëm sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore 9 minatorë.
“Gjendja shëndetësore është shumë e rëndë, sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjithsej 9 minatorë, 4 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, ka thënë Jonuzi.
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ndaj Ndërmarrjes Trepça, pasi kjo e fundit ka publikuar disa fotografi të punëtorëve duke thënë se ata po e bojkotojnë punën.
Sindikata thotë se në fotografi janë grevistet, të cilët po ndihmojnë minatorët e mbyllur në minierë.
“Në faqen zyrtare në Facebook të ndërmarrjes Trepça Sh.A janë publikuar disa fotografi të grevistëve dhe personave të vullnetit të mirë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar minatorët e mbyllur në minierë. Në këtë postim ndër të tjera thuhet se këta persona janë sabotues dhe bojkotues të punës, duke kërcënuar se ndaj të njëjtëve do të merren vendime, duke kërcënuar minatorët grevist dhe duke shfaqur fytyrën e tyre të vërtetë”, thuhet në reagim.
Sindikata thekson se “një tendence të tillë frikësuese dhe shantazhuese ndaj minatorëve grevist e konsiderojmë si përpjekje të dështuar, të një menaxhmenti të papërgjegjshëm, joprofesional dhe dhe jolegjitim”.
“Në vend se menaxhmenti të solidarizohet dhe të plotësoj kërkesat e minatorëve, duke marrë parasysh situatën e rëndë shëndetësore dhe rrezikun për jetë që është duke iu kanosur grevistëve, ata gjejnë kohën të shantazhojnë dhe të njollosin grevën e minatorëve. Kjo sjellje është e turpshme. Minatorët nuk frikësohen, minatorët nuk kërcënohen dhe minatorët nuk dorëzohen”, përfundon reagimi.