BALLKAN, 21 Shtator 2022, 18:28

NATO-ja përfshin trupa rezervë në stërvitjet në Kosovë

NATO-ja përfshin trupa rezervë në stërvitjet në

Forca paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, thanë të mërkurën se më 27 shtator do të zhvillohen stërvitje me emrin e koduar “Shpata e Artë” në zonën e stërvitjeve të kampit Novo Sellë në komunën e Vushtrrisë, që ndodhet në rrugën ndërmjet Prishtinës dhe Mitrovicës.

Stërvitja është pjesë e planeve të publikuara në fillim të këtij muaji nga forcat e KFOR-it që thanë se nga 27 shtatori deri më 2 nëntor "do të zhvillojnë një stërvitje rutinë për një nga njësitë e tij rezervë. Kjo do të çojë në një rritje të përkohshme të numrit të trupave në terren".

Më 11 shtator në Kosovë ka arritur një kontingjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar për t’u përfshirë në stërvitjet që synojnë ruajtjen e “shkallës së lartë të gatishmërisë dhe për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë".

KFOR-i tha se stërvitja do të përfshijë edhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit “dhe do të vendoset në një kontekst të operacionit të reagimit emergjent, ku personeli i KFOR-it do të vazhdojë të veprojë në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”.

Stërvitjet që përfshijnë edhe njësitë rezervë të NATO-s, ndodhin ndërsa afrohet afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për ndryshimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia për pjesëtarët e komunitetit serbë në veriun e Kosovës.

Përpjekjet e mëparshme për të zbatuar vendimin për përdorimin e targave të Kosovës në atë zonë, çuan në përleshje midis policisë dhe serbëve lokalë, të cilët bllokuan rrugët kryesore. Bllokadat u larguan vetëm kur forcat paqeruajtëse të NATO-s ndërhynë dhe Kosova ra dakord të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit deri më 31 tetor.

Afrimi i këtij afati ka nxitur frikën e një konflikti midis Kosovës dhe Serbisë, më shumë se dy dekada pasi NATO-ja bombardoi Serbinë për t'i dhënë fund shtypjes së shumicës shqiptare në Kosovë.

Të martën, zëvendëskomandanti i KFOR-it tha se NATO-ja nuk mund të përjashtojë tensionet e reja në veri me afrimin e afatit dhe se aleanca është e gatshme të shtojë trupat në Kosovë nëse përsëriten tensionet si ato të 31 korrikut.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, dhe serbët në veri të Kosovës e konsiderojnë Beogradin, jo Prishtinën, si kryeqytetin e tyre.

Rreth 3,700 paqeruajtës të NATO-s kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë. /VOA