BALLKAN, 1 Korrik 2023, 09:11

Kurti shpalli terroriste dy organizatat serbe, Berlini: Nuk ka pasur dakordësim me qeverinë e Kosovës

Kurti shpalli terroriste dy organizatat serbe, Berlini: Nuk ka pasur

“Qeveria gjermane dhe BE-ja presin qartë që qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Serbisë të bien dakord shpejt për masat shtensionuese në veriun e Kosovës, për shmangien e provokimeve dhe zbatimin e marrëveshjes së normalizimit për të cilën të dyja palët u pajtuan në shkurt dhe mars.

Qeveria Federale është në kontakt të ngushtë me të dërguarin special të BE-së Lajcak dhe mbështet përpjekjet e BE-së”, thuhet më tej në prononcimin e MPJ.

Qeveria e Kosovës kishte shpallur një ditë më parë si “terroriste dhe kërcënim për rendin kushtetues të Kosovës”, dy organizata të serbëve të veriut, “Mbrojtjen Civile, e njohur si “Civilna Sastita”, dhe Brigadën e Veriut e njohur si “Brigada Sever”.

Disa nga ambasadorët e vendeve të Quintit në Kosovë, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, thanë se për këtë vendim, qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe për këtë ata janë të habitur.

Ndërkohë udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së pas samitit dy ditor në Bruksel theksuan se zgjidhja e problemeve në veri të Kosovës duhet bërë në bazë të rekomandimeve të 3 qershorit të Bashkimit Evropian, që përfshijnë “pezullimin e operacioneve policore, që kryetarët e komunave t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe pjesëmarrjen në zgjedhje të serbëve të Kosovës.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte paraqitur një plan tetë-pikësh për shtensionimin e situatës në veri, duke e kushtëzuar tërheqjen e forcave policore nga objektet komunale me reduktimin e dhunës, ndërsa për zgjedhjet e parakohshme, ai ka kërkuar organizimin e një peticioni që duhet të mbështetet nga të paktën 20% për qind e votuesve, siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës. Në planin e tij kryeministri Kurti nuk e përmend çështjen e Asociacionit. BE-ja nuk e ka komentuar planin e Kurtit.

Në mesin e masave të para ndëshkuese që ka parashikuar BE-ja për Kosovën janë: pezullimi i punës së të gjitha grupeve të punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Po ashtu është paralajmëruar se do të pezullohet financimi i programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për Investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike./Deutsche Welle