BALLKAN, 29 Qershor 2023, 16:54

“E papranueshme”, Edita Tahiri del kundër konferencës ndërkombëtare për Veriun: Ta kundërshtojmë si pushtimin

“E papranueshme”, Edita Tahiri del kundër konferencës

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka dalë kundër opsionit për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Veriun, duke bërë thirrje që populli të shprehet masivisht kundër. Sipas saj, kjo do të ishe e papranueshme dhe duhet kundërshtuar njësoj si pushtimi nga Serbia.

“Një konferencë ndërkombëtare për veriun është ide e papranueshme dhe e rrezikshme! Populli duhet të përgatitet ta kundërshtojmë masivisht, ashtu njësoj siç kundërshtuam okupimin nga Serbia”, u shpreh Tahiri. Ideja e konferencës ndërkombëtare për Kosovën publikisht është nxitur nga kryeministri Edi Rama, i cili në disa konferenca për media ka thënë se ka ardhur koha që kryeministri Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiç të mbyllen derisa të arrihet një marrëveshje.

Gjatë kësaj jave Rama e ka “dorëzuar” edhe formalisht propozimin e tij në Bruksel gjatë takimeve me zyrtarë të lartë atje, përfshirë Presidentin e KE-së Michel dhe Përfaqësuesin e Lartë Josep Borell. Emisari në dialogun Kosovë -Serbi Miroslav Lajcak e ka konfirmuar dje se Rama e ka çuar në Bruksel propozimin. “Është nismë e Edi Ramës. Më duhet të them se ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në të gjithë krizën, sepse është një njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ për t’u dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me të dhe e di se sa kohë dhe autoritet ka investuar për të gjetur një zgjidhje. Ky është propozimi me të cilin ai erdhi. Jemi në kontakt të përditshëm me SHBA-në dhe kryeqytetet kryesore evropiane. Por sigurisht, platforma më e mirë për zgjidhjen e çështjeve është dialogu dhe ne duhet t’i kthehemi dialogut”, ka thënë Lajçak.

Por, a është opsion real një konferencë e tillë? “Nuk u diskutua për pritjet nga ajo konferencë. Është shumë herët për të spekuluar për këtë. Dua të theksoj edhe një herë se rolin e Ramës e shoh konstruktiv”, ka theksuar Lajçak.