BALLKAN, 13 Shtator 2022, 22:47

Kriza energjetike, Greqia do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut

Kriza energjetike, Greqia do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut

Me qëllim të tejkalimit të krizës energjetike, Greqia do ta furnizojë Maqedoninë e Veriut me mazut dhe qymyr si lëndë të parë për prodhimin e energjisë elektrike. Një marrëveshje të këtillë kanë arritur në Athinë delegacionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, për funksionimin e termocentraleve në Manastir, Osllomej dhe Negotinë.

“Arritëm marrëveshje se furnizimi me thëngjill do të bëhet pa pengesa gjatë gjithë periudhës, ku do të lëshohen në përdorim kapacitetet e Termocentralit në Manastir dhe Osllomej. Arritëm marrëveshje edhe për furnizim me mazut që pa pengesa të punojë edhe Termocentrali në Negotinë”.

Gjatë takimeve midis dy delegacioneve është thënë se një investitor grek ka shfaqur interesim për të ndërtuar një central gazi në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një central të madh gazi deri në 200 megavat në Shkup, që vlerësohet si investim strategjik.

Ndërkaq nga Kabineti i Kryeministrit grek, Qirjakos Micotaqis, deklaruan se Greqia është e gatshme ta mbështesë RMV-në në këto kohëra të vështira dhe mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve energjetike dhe përforcimin e lidhjeve në mes dy shteteve.