BALLKAN, 8 Dhjetor 2022, 16:47

Kosova shtyn gjendjen e emergjencës për sektorin energjitik, ja sa parashikohet të zgjasë vendimi

Kosova shtyn gjendjen e emergjencës për sektorin energjitik, ja sa

Kuvendi i Kosovës ka miratuar zgjatjen e masave emergjente për energji edhe për një muaj, ashtu siç kishte propozuar Qeveria e Kosovës.

Kjo është hera e pestë që brenda këtij viti, deputetët votojnë për zgjatjen e këtyre masave dhe masat janë në fuqi që nga korriku i këtij viti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën parlamentare të 8 dhjetorit tha se masat duhet të zgjaten për shkak të krizës energjetike në Evropë.

Kundër zgjatjes së këtyre masave ishin deputetët opozitarë, të cilët thanë se ekzekutivi vetëm po kërkon zgjatjen e tyre, por nuk po bën veprime konkrete për të përmirësuar situatën me energji elektrike.

Deputetët opozitarë kërkuan sqarime nga ministrja Rizvanolli se çfarë veprimesh ka marrë Qeveria për përmirësimin e situatës gjatë periudhës sa janë në fuqi masat emergjente për energji. Por, Rizvanolli nuk iu është përgjigjur pyetjeve të deputetëve opozitarë.

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, tha se zgjatja e masave emergjente nuk zgjidh problemet me të cilat përballet Kosova në fushën e energjisë.

Sipas tij, rruga e vetme e Qeverisë së Kosovës për të zbutur problemin me energji elektrike, është kthimi në funksion i blloqeve të termocentralit Kosova A.

“Duhet hyrë në rehabilitim të thellë të atyre blloqeve dhe t’i hapim dyert sektorit privat për investime në sektorin e energjisë alternative. Masat emergjente asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate. Rezultate japin vetëm politikat zhvillimore të sektorit të energjisë”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) operon me dy termocentrale në Obiliq, të cilat prodhojnë energjinë nga thëngjilli – Termocentrali “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Kapacitetet e tyre prodhuese janë 500 deri në 800 megavate energji elektrike në orë.
Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Por, sipas planit aktual të KEK-ut, në prodhim përdoren dy blloqe të këtij termocentralit.

Njëri prej tyre është rezervë si pasojë e vjetërsisë, ndërkaq blloqet A1 dhe A2 janë jashtë pune, pa status të definuar.

Çfarë përfshijnë masat emergjente?

Masat emergjente për energji përfshijnë masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucione si ndalimin e përdorimit të rrymës për mihjen e kritpovalutave.

Në masat emergjente për energji parashihet mbështetja e Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT), që ky operator të ndërmarrë masat e duhura për të ofruar siguri të sistemit elektro-energjetik.

Sipas këtyre masave, Ministria e Ekonomisë obligohet që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, të propozojnë masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë muajve të dimrit.

Po ashtu, Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me KEK-un, duhet të propozojnë masa shtesë për të siguruar energji të mjaftueshme elektrike gjatë muajve të dimrit.

Konsumatorët në Kosovë tashmë janë paralajmëruar nga Qeveria se do të përballen me një dimër të vështirë, për shkak të krizës së energjisë që ka mbërthyer Evropën.

*Video nga arkivi: Zotësia e gruas për një Kosovë më të gjelbër

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, më herët kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se nuk ka asnjë garanci se gjatë dimrit mund të ketë furnizimi stabil me rrymë në Kosovë.

Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë sipas Kompanisë për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka arritur në mbi 1100 megavatë në orë, për çka sipas tyre, nevojitet një sasi e konsiderueshme e energjisë elektrike të importohet me qëllim të përmbushjes së kërkesës.

KEDS njoftoi më 5 dhjetor se çmimi i energjisë elektrike në berzat rajonale ka arritur në mbi 400 euro për megavat orë.

Kjo rritje, sipas KEDS-it, është afër 100 për qind më e lartë krahasuar vetëm me një javë më parë kur çmimi për një megavat ishte rreth 250 euro.

Në ditë dimri kur temperaturat janë më të ulëta nevojat për energji elektrike arrijnë deri në 1.300 megavate në orë, derisa kapacitetet e prodhimit në Kosovë janë jo më shumë se 800 megavatë rrymë në orë.

Kjo diferencë importohet nga jashtë. Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Kosova ka importuar vitin e kaluar 1.311.461 megavate rrymë./REL