BALLKAN, 9 Qershor 2022, 13:57

Kosova i thotë “JO” “Ballkanit të Hapur”/ Albin Kurti: Ka shtete që ende janë në anën e Rusisë

Kosova i thotë “JO” “Ballkanit të Hapur”/

Një ditë pasi u mbajt në Ohër Samiti i Ballkanit të Hapur, sot ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk pranon që ti bashkohet kësaj nisme, pavarësisht ftesës që i është bërë herë pas here.

Kurti është shprehur se  për të pasur “Ballkan të Hapur”, Serbia duhet të hapet ndaj Kosovës.

Kreu i Qeverisë se Kosovës tha se gatishmëria për bashkëpunim rajonal shprehet me mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe angazhimin për tregun e përbashkët rajonal.

“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga gjashtë shtete në përgjithësi.

Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE, përbehet nga gjashtë shtete, këto nuk mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe nuk kanë vënë sanksione ndaj Rusisë.

Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e Federatës Ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur ‘Ballkan të Hapur’, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti.

“Nëse një qytetar i Kosovës dëshiron të shkojë në Serbi, edhe qoftë për të vizituar të afërmit në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, ose për të kaluar transit nëpër atë shtet, nuk i pranohet pasaporta, nëse e tregon kartën e identitetit, ajo merret vetëm për t’i thithur të dhënat biometrike”, tha Kurti.

Kryeministri vazhdoi duke thënë se BE-ja është fati i Kosovës, “Evropa kontinenti ynë, dhe për këtë jemi të palëkundur”.

“E mbështesim qëndrimin amerikan se nuk mund të ketë ‘Ballkan të Hapur’ të themeluar si iniciativë përderisa nuk janë gjashtë shtete, është mirë një herë të shikohet a janë të gjashtë shtetet.

Të mos e mundojnë as veten e tyre, sepse nuk janë gjashtë shtetet, nuk ka ‘Ballkan të Hapur’”, deklaroi Albin Kurti.