BALLKAN, 3 Prill 2024, 14:49

“Koha për një dinamikë të re në integrimet europiane”, Bujar Osmani: Përshpejtimi i procesit, “çelësi” për t’iu kundërvënë synimeve ruse

“Koha për një dinamikë të re në integrimet

Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, ka deklaruar se më shumë se kurrë më parë është koha për një dinamikë të re në integrimet europiane dhe euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, i cili u mbajt në selinë e Aleancës në Bruksel, ai tha se përshpejtimi i këtyre proceseve është kyç për t’iu kundërvënë synimeve ruse dhe për të konsoliduar stabilitetin e përgjithshëm.

“Rajoni ynë po bëhet gjithnjë e më shumë një fushë e garës gjeopolitike dhe Ballkani Perëndimor është në vijën e zjarrit të përplasjes së qytetërimeve mes Perëndimit dhe Lindjes. Agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës ka treguar se arkitektura e sigurisë në Europë është dëmtuar, dhe siç e kam theksuar edhe në raste të tjera, Ukraina është vetëm ndalesa e parë e ambicieve imperialiste ruse. Pas Ukrainës, agresioni rus pritet të vazhdojë dhe ndalesa e radhës do të jenë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani.