TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar sot Serbinë se po vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga forcat e saja kriminale edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Ai ka thënë se mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga pesë varreza masive në Serbi e janë nxjerrë nga lumenjtë e liqenet ku Beogradi zyrtar u mundua të fshihte të vërtetën e saj.
“Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës,” ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka përkujtuar se më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, forcat serbe rrëmbyen dhe vranë gjashtë burra e djem civilë Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi.
“Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën. Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni. Albioni ishte 21-vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek-shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia.
Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë. Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve,” ka përfunduar Kurti.