TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Institucionet e Kosovës kanë bërë kërkesë te pala serbe për gërmimin në 11 lokacione dhe rikthimin në pesë lokacionet të varrezave masive që tanimë janë të konfirmuara në territorin e Serbisë. Ndërkohë, nëpërmjet një shkrese i kanë kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç që të kenë qasje të plotë në arkiva të brigadës 37 të ish-ushtrisë jugosllave dhe brigadës 549, të cilat kanë vepruar në regjionin e Drenicës dhe Prizrenit, ku edhe janë kryer krime të përmasave genocidale.
Në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur thonë se do të vazhdojnë gërmimet në territorin e Kosovës, megjithatë, sfidë mbeten gërmimet në Serbi për shkak të qasjes në vazhdimësi politizuese e Beogradit zyrtar kundrejt këtij procesi. Kushtrim Gara nga ky komision ka thënë për KosovaPress-it se deri tash janë të konfirmuara pesë varreza masive në territorin e Serbisë, ku janë gjetur dhe zhvarrosur më shumë se 900 viktima shqiptare nga lufta në Kosovë.
“Sfidë dhe shqetësim mbetet qasja në vazhdimësi politizuese e Serbisë kundrejt këtij procesi dhe siç e kemi thënë edhe më parë politizimi i kësaj procesi mbetet turpi i këtij shekulli…Ne kemi diskutuar edhe mbi mundësinë e një agjende të dinamizmit të këtij procesi, dhe tani më kanë filluar gërmimet vlerësuese edhe me procesin e zhvarrimit në disa lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës.. Kemi kryer gërmime të nevojshme në lokacion në fshatin Prekaz, që kanë rezultuar në gjetjen e një pjese kockore dhe pastaj kemi vazhduar gërmime në Komunë të Suharekës, ku gërmimet nuk kanë rezultuar me gjetje,… kemi edhe disa lokacione të shënjuara përfshirë edhe lokacionin Tusus që ne do të kthehemi në disa pika të tjera që kanë mbetur nga viti i kaluar, pastaj kemi një lokacion në Komunë të Podujevës që ne po e trajtojmë si rast për konfirmim identiteti dhe sigurisht që pastaj ka një sërë lokacionesh… Sfiduese mbeten lokacionet në territorin e Serbisë, përkundër të kërkesave të vazhdueshme, përkundër të dhënave që ne kemi iniciuar në formë të kërkesave gjatë takimeve që kemi pasur gjatë këtyre muajve, por edhe në takime paraprake, nuk ka ende ndonjë datë çoftë për të filluar gërmimet në lokacion të shënjuara në të cilat nuk është punuar asnjëherë apo edhe për të vazhduar gërmimet në lokacionet që është punuar në vitet e pasluftës por në bazë të dhënave që ne kemi, është e nevojshme që të kthehemi për të realizuar gërmimet e nevojshme vlerësuese edhe në këto lokacione”.
Gara ka shtuar se kryesuesi i Komisionit Qeveritar, Andin Hoti, ka dërguar një shkresë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke kërkuar që të kenë qasje të plotë në arkiva të Brigadës 37 dhe 549, të ish-ushtrisë jugosllave, të cilat kanë qenë të përfshirë në rajonin e Drenicës dhe Prizrenit.
“Me 28,29 dhe 30 mars kemi pasur takimin tre palësh mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur të Republikës së Kosovës, të Malit të Zi dhe të Serbisë për persona të zhdukur… Janë të paktën 20 lokacionesh të adresuara në kuptimin e kërkesave për palën serbe, çoftë lokacioni në territorin e tyre për të vazhduar gërmimet apo edhe në territorin e Republikës së Kosovës… Tek rasti arkiva sigurisht që është rikthyer në agjendë dhe kemi bërë përpjekje t’i vëmë theks të veçantë edhe shkresës që kryesuesi i Komisionit Qeveritar, ka kërkuar në muajin qershor prej presidentit të Serbisë, Vuçiç, me kërkesën për qasje të plotë në arkiva të brigadës 37 të ish-ushtrisë jugosllave, për gjeste, për krime të përmasës genocidale të kryer kryesisht në regjionin e Drenicës. Krahas brigadës 37 ka qenë edhe kërkesa për brigadën 549 për krime në regjionin e Prizrenit”.
Gara shtoi se në këtë takim tre palësh kanë kërkuar të kenë qasje edhe në një listë që është bërë nga autoritetet e Serbisë në vitin 2021, ku janë evidentuar 16 vende të masakrave masive në Serbi, prej të cilave Kosova, tanimë i di vetëm pesë. Në Kosovë mbeten edhe mbi 1600 persona të zhdukur.