BALLKAN, 1 Prill 2024, 19:27

Sulmi ndaj kreut të Haraçinës/ Si i shpëtoi plumbave zyrtari i BDI, u plagosën nëpunësi dhe shoferi (Detajet)

Sulmi ndaj kreut të Haraçinës/ Si i shpëtoi plumbave

Zbardhen detaje në lidhje me sulmin me armë ndaj kryetarit të komunës së Haraçinës në Maqedoninë e Veriut, i cili u qëllua me armë zjarri. I zgjedhuri shqiptar, Ridvan Ibraimi ishte në makinë kur ka ndodhur atentati, por ka shpëtuar pa lëndime.

Nga të shtënat me armë janë lënduar dy persona, një nëpunës i komunës dhe drejtuesi i mjetit. Ata janë çuar në spital dhe njëri prej tyre sipas mjekëve është në gjendje më të rëndë, pasi është qëlluar me një plumb në gjoks. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së hënës në hyrje të Haraçinës. Ministrja e brendshme në Shkup tha se sulmi është kryer nga një person i njohur për policinë, i cili ka qenë i përfshirë edhe në krime të tjera. Megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë më shumë informacione në lidhje me autorin.

Njësitet policore kanë ngritur postblloqe në të gjithë Haraçinën për kapjen e sa më shpejtë të autorit, ndërsa motivi mbetet ende i paqartë Ridvan Ibraimi është zgjedhur në krye të Haraçinës që prej vitit 2021 si përfaqësues i partisë “Bashkimi Demokratik për Integrim”.