BALLKAN, 22 Qershor 2023, 11:04

Gërvalla akuzon SHBA dhe BE: Duan të na fusin në luftë me Serbinë

Gërvalla akuzon SHBA dhe BE: Duan të na fusin në luftë me

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka sulmuar ashpër Perëndimin, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”.

Ajo ka arritur deri aty, sa të thotë që Perëndimi kërkon një luftë Kosovë-Serbi.

E pyetur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian nëse Kosova nuk ndryshon kurs, Gërvalla tha se “ky është një gabim i rëndë strategjik” dhe se perëndimi me këtë po çon “një sinjal fatal”.

“Kjo fton përshkallëzimin – dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç po përshkallëzohet më tej: forcat speciale serbe janë futur në vendin tonë dhe kanë rrëmbyer tre policë. 

Ky agresion i hapur është një alarm i kuq: kështu i nisi luftërat e tij ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç në vitin 1991. 

Prej kohësh kemi paralajmëruar se do të ketë vdekje nëse Vuçiç nuk ndalet. Shembulli do të lërë gjurmë përtej rajonit. 

Sepse vë në pikëpyetje parimet dhe besueshmërinë e Perëndimit globalisht, siç dëgjojmë nga pjesë të tjera të botës”, tha Gërvalla.

Sa për kërkesën e SHBA-ve dhe BE-së që kryetarët e katër komunave veriore të punojnë jashtë zyrave të tyre komunale, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë”.

“Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putin-it, Vuçiç-in.

Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiç-in nuk e ndalon dot as me para, as me qetësim, vetëm me një qëndrim kristal. BE-ja nuk e ka këtë”, tha ajo.

Gërvalla deklaroi se e kanë paralajmëruar aleancën perëndimore për strategjinë e presidentit rus Vladimir Putin, por ata “s’po dëgjojnë”.

“Ne kemi paralajmëruar për një kohë të gjatë, por shumë partnerë perëndimorë, përfshirë Austrinë, nuk duan të dëgjojnë apo shohin. Të flasin, të japin këshilla, këtë duan”, tha Gërvalla.

Meqë Perëndimi nuk e ka dëgjuar Kosovën, “gjërat po shkojnë mirë për Kremlinin”, shtoi.

Në vargun e kritikave për perëndimorët, Gërvalla ka veçuar Lajçak-un.

“Përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar. I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiç-it. 

Jo vetëm që kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiç-in të përshkallëzohet. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje ka edhe trupa Wagner në vend. 

Një strategji e re nevojitet urgjentisht, duke përfshirë staf të ri, nëse duam të ndalet përshkallëzimi”, u shpreh ajo.