TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pohoi se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është një detyrim për Kosovën.
Gjatë fjalës së tij para Komitetit për Punë të Jashtme, Escobar u ndal te shqetësimet e senatorit Bob Mendez rreth Asociacionit. Escobar u shpreh se qëndrimi i SHBA-së është që Asociacioni është obligim ekzistues i Kosovës që e ka marrë në kuadër të procesit të dialogut të Brukselit, ndërsa ka shtuar se SHBA e ka përsëritur që janë për një model që nuk shkel rregullat evropiane, Kushtetutën e Kosovës apo që prish funksionalitetin e Kosovës. “Qëndrimi ynë është që Asociacioni është detyrim ligjor ekzistues. E kemi përsëritur që do të ndihmojmë Kosovën për një model që s’është kundër rregullave evropiane apo kundër Kushtetutës së Kosovës apo funksionalitetin”, tha ai.
Ai tha se Asociacionin e shohin si një rrugë ku katër komunat e veriut të Kosovës, apo edhe komuna të tjera mund të bashkohen për të ofruar shërbime komunale në gjuhën serbe për një pjesë të komunitetit. “Mënyra se si ne e shohim një situatë të tillë, është që Asociacioni është një mënyrë që katër komunat, apo edhe ndonjë tjetër komunë që dëshiron të bashkohet, që të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime komunale në gjuhën serbe për një pjesë të komunitetit”, tha ai.
Escobar shtoi se SHBA duan të shfrytëzojnë Asociacionin për të hequr veriun nga ndikimi i Beogradit dhe nga ajo çfarë Vuçiç po bën sot me këto komuna. “Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin që të zhbëjmë atë që Serbia po bën sot me veriun dhe ta fusim brenda strukturës së Kosovës, që e kontrollon dhe që është nën ligjet e Kosovës”, shtoi zyrtari.