BALLKAN, 16 Maj 2023, 18:19

Regjistrimi i popullsisë serbe, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi

Regjistrimi i popullsisë serbe, shqiptarët janë pakica e

Regjistrimi i popullsisë dëshmoi se pakica kombëtare shqiptare në Serbi është diskriminuar në 12 vjetët e fundit. Kështu thotë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në këtë vend, Ragmi Mustafi. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se rezultatet përfundimtare të regjistrimit të vitit 2022, treguan se shqiptarët në këtë vend janë pakica e katërt më e madhe kombëtare.

Ndryshe nga të dhënat e regjistrimit të vitit 2011, që tregonin se në Serbi jetojnë gjithsej 5.809 shqiptarë, të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë se popullsia e këtij komuniteti përbëhet prej 61.687 banorësh. Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e mëparshëm, andaj edhe nuk dihej numri real i tyre. Vendimi për bojkotim ishte marrë pasi formularët për regjistrim ishin shtypur vetëm në gjuhën serbe, me alfabet cirilik.

Si arsye shtesë, përfaqësuesit e shqiptarëve përmendën problemet e pazgjidhura dhe obligimet e paplotësuara të shtetit të Serbisë në zonën ku jetojnë ata. Por, përfaqësuesit e shqiptarëve bënë thirrje për regjistrim në procesin që u organizua nga autoritetet e Serbisë, vitin e kaluar.

Mustafi thotë se numri i pjesëtarëve të pakicave kombëtare përcakton dhe ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të tyre. “Në rastin e pakicës kombëtare shqiptare në Serbi, kjo nënkupton pjesëmarrjen e duhur të shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore, përkatësisht përfaqësimin e tyre proporcional në polici, gjyqësor, arsim, shëndetësi, doganë, ndërmarrje publike... gjë që nuk po ndodh tani”, thotë Mustafi.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, ankohen për diskriminim, por autoritetet serbe e mohojnë një gjë të tillë. Para fillimit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, paralajmëroi për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, ku edhe jeton numri më i madh i shqiptarëve. Me një postim në Twitter, në janar të vitit 2021, ai nxiti reagimin e deputetes gjermane nga radhët e të Gjelbërve, Viola von Cramon, njëherësh raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, e cila shprehu shqetësimin e saj. Arifi tha asokohe për Radion Evropa e Lirë se pezullimi i vendbanimit, përkatësisht dispozita ligjore e pasivizimit të vendbanimit të një personi që konstatohet se nuk jeton në adresën e regjistruar, zbatohet sistematikisht vetëm për pakicën kombëtare shqiptare.

Ministrja e atëhershme e Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Marija Obradoviq, i tha REL-it se, në rastin e shqiptarëve, vendbanimi i tyre nuk është vërtetuar në adresën që ata kanë raportuar dhe se Ministria e Brendshme ka të drejtë të kontrollojë nëse këta persona jetojnë vërtet në atë vend.

Numra më të mëdhenj, të drejta më të mëdha

Mustafi thotë se për shkak të bojkotimit të regjistrimit të mëparshëm, në Luginën e Preshevës janë regjistruar vetëm disa mijëra shqiptarë. Sipas tij, autoritetet në Serbi kanë “abuzuar” me këtë fakt gjatë llogaritjes dhe pagesës së mjeteve buxhetore për vetëqeverisjet lokale, për këshillin kombëtar dhe për subjektet tjera që financohen pjesërisht ose plotësisht nga buxheti i Serbisë.

“Ky regjistrim dëshmon se pakica kombëtare shqiptare ka qenë e diskriminuar në 12 vjetët e fundit edhe për arsyet që ne i kemi vënë në dukje vazhdimisht. Por, Qeveria nuk ka dashur të na dëgjojë, duke iu referuar rezultateve të regjistrimit të vitit 2011, në të cilin ne nuk kemi marrë pjesë”, thotë Mustafi. Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit, shton ai, situata ndryshon në favor të pakicës kombëtare shqiptare. Drejtori i Qendrës joqeveritare për Hulumtime dhe Monitorim nga Presheva, Kujtim Sadiu, thotë për REL-in se shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, është dashur të figurojnë si banorë të komunave të Luginës së Preshevës.

Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të vitit të kaluar, të publikuara nga Instituti Republikan i Statistikave në Serbi, tregojnë se në këtë vend jetojnë 61.687 shqiptarë - më së shumti në Preshevë - 31.340; në Bujanoc 25.465, në Medvegjë 905 dhe në Beograd 857. Sadriu merr si shembull rastin e familjes së tij.“Shtatë anëtarë të familjes sime aktualisht jetojnë dhe punojnë në Zvicër, por janë shtetas të Serbisë dhe nesër mund të kthehen në Preshevë, sepse nuk kanë vdekur. Ata kanë pasaporta serbe dhe letërnjoftime serbe”, thotë Sadriu.Sipas tij, burimet njerëzore janë faktori më i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve të huaj, por edhe për zhvillimin e vendit. “Shiheni se çfarë po bëjnë Zvicra, Gjermania, vendet skandinave, të cilat thjesht sjellin njerëz nga e gjithë bota. Ata u japin shtetësi, rroga të denja, përpiqen në çdo mënyrë t’i integrojnë në shoqëri, ndërsa vendi ynë e bën të kundërtën”, thotë Sadriu.

Ai vë në dukje edhe dimensionin financiar të kësaj problematike. Sipas tij, punësimet partiake janë kryesisht të pranishme në atë pjesë të Serbisë ku jetojnë shqiptarët, andaj ky komunitet, thotë ai, nuk ka mundësi të barabarta për punë. “Të gjithë kumbarët, dhëndurët e kunatat punësohen me lidhje partiake”, thotë Sadriu. Sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave, çdo i katërti punonjës në Serbi punon në sektorin publik, përkatësisht në institucione dhe kompani të menaxhuara nga shteti. Shteti punëson mbi 600 mijë nga 2.3 milionë të punësuar.

Organizatat joqeveritare dhe opozita kanë bërë kritika të shumta për punësimin partiak në Serbi. Reformimin e sistemit shtetëror në Serbi e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të anëtarësohet.