BALLKAN, 3 Nëntor 2023, 09:29

Arrihet marrëveshja, ndërpritet greva e minatorëve të Trepçës

Arrihet marrëveshja, ndërpritet greva e minatorëve të

Greva e minatorëve të Trepçës e cila zgjati 10 ditë është ndërprerë mbrëmë pas mesnatës pas një marrëveshje që është arritur.

Grevistët kanë dalë nga miniera sot në ora 02:00 e mëngjesit

Minatorët e ndërmarrjes “Trepça”, kanë hyrë në grevë më datë 24 tetor, duke bërë që gjatë këtyre ditëve disa grevistë të kërkojnë edhe ndihmë shëndetësore.

Kërkesa të minatorëve ishin që pagat t’u dalin me kohë, të ketë përmirësim të kushteve të punës, sigurime shëndetësore dhe shkarkim të menaxhmentit. 

Ndërmarrja “Trepça” ka publikuar letrën e minatorëve me katër kërkesat e parashtruara, ndërsa bën të ditur se është pajtuar që tri kërkesat e tyre të realizohen, transmeton Telegrafi.

“Paga e minatorit prej 6-10 të muajit; Të shpallet konkursi i KE-së; Të përmirësohen kushtet e sigurisë; Të tërhiqen vendimet e nxjerra gjatë grevës”, ishin kërkesat e paraqitura nga ana e minatorëve.

Ndërsa, letrën e publikuar nga Ndërmarrja “Trepça” thuhet se Bordi i Përkohshëm i ka trajtuar me kujdes kërkesat e minatorëve dhe se pajtohen në tri pika.

“Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve jemi në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e paraqitura nga ju, sepse janë edhe prioritet tona tashmë. Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve pajtohemi me pikat 1,2,3. Kërkesa e fundit e letrës tuaj ju sigurojmë që do të analizojmë dhe shqyrtojmë në vijimësi vendimet e KE-së, përfshirë ato nga data 27.10.2023”, thuhet në letrën e Ndërmarrjes “Trepça”.