BALLKAN, 28 Qershor 2022, 17:27

Albin Kurti: Procesi i Berlinit nuk ka alternativë, siç nuk ka alternativë anëtarësimi në BE

Albin Kurti: Procesi i Berlinit nuk ka alternativë, siç nuk ka

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar të martën me sekretaren e Shtetit e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu.

Gjatë këtij takimi është thënë se Procesi i Berlinit nuk ka alternativë.

“Kryeministri Kurti theksoi se për Qeverinë e Republikës se Kosovës, Procesi i Berlinit nuk ka alternativë, siç nuk ka alternativë anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Temë diskutimi gjatë këtij takimi ka qenë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duke biseduar për procesin e dialogut në Bruksel, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke”.

Nga Kurti është përmendur edhe mohimi i krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

“Ai tha se mohimi i krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe mosnjohja e pavarësisë se Republikës së Kosovës, janë pothuajse e njëjta gjë. Po ashtu, veçoi rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës”.

Sipas sekretares se Shtetit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu, angazhimi do të thellohet tek Ballkani Perëndimor.

“U theksua zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Sekretarja Leu tha se Ballkani është shumë i rëndësishëm për Zvicrën dhe se raporti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është çelësi për këtë rajon”.

Ndër të tjera, është diskutuar edhe për bashkëpunimet e mundshme mes Kosovës dhe Zvicrës në fusha të ndryshme.

“Gjatë takimit u ritheksua gatishmëria e të dy qeverive për të konkretizuar edhe më tej bashkëpunimin në ekonomi dhe krijim të vendeve të reja të punës. U theksua se veçanërisht shkëmbimet tregtare dhe investimet në ekonomi mund të rriten”.