AKTUALITET, 17 July 2026, 21:13

Balla ndan pamje nga kriporet e Nartës: Askush s’do t’ia dalë më ta tërheqë Shqipërinë poshtë! Do ta bëjmë princeshë të turizmit mesdhetar

taulant-balla-e1512225597461.jpg

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar një mesazh nga Kriporet e Nartës, duke deklaruar se asgjë nuk do ta largojë Shqipërinë nga procesi i transformimit të saj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, shoqëruar me pamje nga kriporet shumëngjyrëshe të Nartës, Balla u shpreh se askush nuk do të mund ta tërheqë më vendin pas dhe se Shqipëria dhe qytetarët e saj nuk do të frikësohen nga ëndrrat dhe sfidat e mëdha.

Kreu i grupit parlamentar socialist deklaroi se objektivi është që Shqipëria të shndërrohet në “princeshë të turizmit mesdhetar”, duke theksuar se nuk do të ketë hapa pas, pavarësisht kritikave dhe sulmeve nga ajo që ai e cilësoi si “ushtria e llogarive false”.

“Ju përshëndes me bukurinë e ngjyrave fantastike nga Kriporet e Nartës. Ju lutem lexojini këto katër fjali më poshtë”, shkroi Balla.

Në mesazhin e tij, ai theksoi:

“Kushdo që do përpiqet ta tërheqë Shqipërinë prapë poshtë, nuk do t’ia dalë kurrë më.

Shqipëria nuk do të frikësohet nga ëndrrat e mëdha.

Populli shqiptar nuk do të struket përballë asnjë sfide të madhe.

Së bashku ne do ta bëjmë Shqipërinë europiane princeshë të turizmit mesdhetar dhe do t’u tregojmë edhe të gjithë atyre që e përgojuan si s’ka më keq shtetin tonë, se Shqipëria e ka shumë seriozisht transformimin e saj epokal”.

Në fund të reagimit të tij, Balla iu drejtua kritikëve duke shkruar: “Tani ushtria e llogarive fallco turruni në sulm, por asnjë hap mbrapa nga ne sa më sipër. E morët vesh!”.