TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shoqëria “Sori-AL” ka reaguar sot në lidhje me dy episodet e helmimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë, ku gjatë hetimeve paraprake aktiviteti u bllokua përkohësisht nga autoritetet dhe AKU.
Me një deklaratë zyrtare, theksohet se “dy muaj akuza sollën një përfundim zyrtar krejt tjetër”.
Ky reagim vjen pasi autoritetet në përfundim të hetimeve zhbllokuan për herë të dytë aktivitetin e kompanisë, pas dyshimeve për mungesë të kushteve të higjienës dhe gatimit, sigurisë dhe shëndetit ushqimor.
“Për më shumë se dy muaj, opinioni publik u bombardua me lajmin se “SORI-AL” kishte shkaktuar helmim masiv ushqimor. Sot, pas përfundimit të të gjitha verifikimeve zyrtare, rezulton se asnjë institucion nuk ka konfirmuar një përfundim të tillë. Megjithatë, dëmi ndaj reputacionit të kompanisë është bërë dhe nuk mund të zhbëhet me një procesverbal apo një njoftim administrativ”, theksohet mes të tjerash në këtë reagim.
Kompania nënvizon se gjatë kësaj periudhe hetimore, teksa u dyshua për helmimin e 64 studentëve nga ushqimi, bashkëpunoi me autoritetet dhe organet hetimore, teksa rezultoi se nuk u diagnostikua asnjë person me helmim ushqimor.
“Dokumentet zyrtare flasin qartë. QSUT konfirmon se asnjë pacient nuk është diagnostikuar me helmim ushqimor dhe se nuk ekziston asnjë raport mjekësor që ta lidhë gjendjen e pacientëve me konsumimin e ushqimit të gatuar nga SORI-AL. ISUV rezultoi negativ për kampionet e ushqimit të marra gjatë kontrollit zyrtar, rezultat i konfirmuar edhe nga analizat e laboratorit privat të akredituar. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor nuk konstatoi asnjë shkelje ligjore, Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi se nuk kishte kryer analiza laboratorike të ushqimit, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e mbylli procedurën pa konstatuar shkelje dhe lejoi vijimin normal të aktivitetit të shoqërisë”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se edhe të dhënat klinike tregojnë një panoramë krejt tjetër nga ajo që u krijua në opinion publik.
Në episodin e parë, nga 45 persona të paraqitur në QSUT, 43 janë larguar brenda 1 deri në 4 orësh, ndërsa vetëm 2 kanë qëndruar më gjatë për monitorim. Në episodin e dytë, nga 67 persona, 66 janë larguar brenda 30 minutash deri në pak orë, ndërsa vetëm një person ka qëndruar i shtruar për disa ditë.
AKU zhbllokoi një ditë më parë për herë të dytë aktivitetin e kompanisë, pasi nuk gjeti shkelje të sigurisë ushqimore dhe shërbimit.