AKTUALITET, 17 July 2026, 15:34

600 kamera në 20 shkolla në Tiranë e Kamëz, zv.ministrja e Arsimit: Nuk do të vendosen në klasa!

20 ndër shkollat më të frekuentuara në Tiranë dhe Kamëz janë pajisur tashmë me kamera inteligjente, ndërsa sistemi do të vihet në funksion nga shtatori, me nisjen e vitit të ri shkollor. Në total janë instaluar rreth 600 kamera, të cilat synojnë të rrisin sigurinë për rreth 14 mijë nxënës. Zv.ministrja e Arsimit Orjana Osmani tha se këto shkolla ku përfshihen arsimi bazë, gjimnazet dhe shkollat profesionale janë zgjedhur në bashkëpunim me policinë e shtetit.

“Këto shkolla janë zgjedhur në bashkëpunim me policinë e shtetit, veçanërisht te shkollat që kanë numër të lartë. Shkollat e përzgjedhuar janë ato të arsimit bazë, gjimnazet dhe ato profesionale. Këto janë kamera që në kohë reale tregojnë se çfarë po ndodh në shkolla. Duhet theksuar se në shkollat që kanë numër të lartë nxënësish kanë 2 oficerë shkolle. Ata janë të trajnuar dhe janë së bashku me shërbimin psiko-social”, tha Osmani. Osmani theksoi se në klasat e nxënsëve nuk ka kamera të instaluara, ndërsa shtoi se oficerët e sigurisë në shkolla akses te pamjet

“Kamerat do të ketë edhe në pjesën e jashtme dhe në pjesën e brendshme të shkollës. Shërbimi do të shtohet në të gjitha shkollat. Kamerat nuk do të jenë të vendosura në klasa apo në mjedise ku nuk lejohet. Këto pamje do të jenë në shkolla dhe në qendrën e monitorimit dhe në asnjë vend tjetër. Oficerët e sigurisë në shkolla do të kenë akses te pamjet. Është një shërbim që ofrohet për rritjen e sigurisë në shkolla", tha ajo. Për vendosjen e tyre edhe në shkolla të tjera të vendit, Osmani tha se puna do të vijojë gradualisht.

“Shtrirja në pjesën tjetër të vendit do të bëhet gradualisht. Tani po shohim shkollat publike por më vonë do të ketë edhe një vëmendje për ato private edhe pse ata kanë kamera”, shtoi Osmani. Ajo nënvizoi se nëse do të ketë parandalime të ndonjë situate të pakëndshme në shkolla –ky do të cilësohet sukses.

“Suksesi është kur rastet parandalohen. Nëse do të kemi parandalime të rasteve ky do të jetë suksesi i këtij projekti”, përfundoi Osmani.