AKTUALITET, 17 July 2026, 15:52

Shqipëria tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, 12.4% rritje e turistëve të huaj në maj

Në muajin maj numri i vizitorëve që kanë zbuluar Shqipërinë ka qenë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i vizitorëve që u akomoduan në strukturat turistike në Shqipëri u rrit me 12,4%.

Ndërkohë, shifrat më të larta ishin edhe kësaj here për vizitorët jorezidentë, të cilët shënuan një rritje prej 12.7%, ku numri i të huajve që ndaluan në Shqipëri ishte 274.967 persona, nga 243.985 individë që pushuan gjatë kësaj periudhe në vitin 2025.

I njëjti trend pozitiv është ndjekur edhe nga rezidentët, të cilët quhen ajo kategori personash që kanë qëndruar së paku 12 muaj në Shqipëri, dhe u rritën me 11.4%. Këto vlera u reflektuan më pas edhe në rritjen e rezervimeve pranë strukturave akomoduese, ku netët e qëndrimit në hotele u rritën me 8%.

Numri më i lartë i shtetasve të huaj që ndalojnë në Shqipëri është ai i italianëve. Kjo vjen si pasojë e turizmit dentar që zhvillohet në vendin tonë. Vendin e dytë e mbajnë shqiptarët e Kosovës, ku një pjesë e madhe e tyre pushimet pranë zonave bregdetare i zhvillojnë në muajin maj. Ndërsa francezët dhe polakët janë ata pushues që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë e Alpeve.

Nëse bëjmë një renditje të rajoneve, ai më i preferuar për net qëndrimi është rajoni i qendrës, që përfshin qytete si Tirana dhe Elbasani, i ndjekur nga rajoni i veriut, që pjesë të tij ka qytete si Durrësi dhe Shkodra, kurse rajoni i jugut është më pak i preferuar.

Kjo pasi temperaturat e detit janë ende të ulëta gjatë muajit maj, por ky bilanc përmbyset menjëherë me fillimin e sezonit veror, që nis në qershor.