AKTUALITET, 17 July 2026, 16:24

Shtohen rastet e sëmundjeve të lëkurës në Fier, dermatologu: Melanoma prek edhe të rinjtë! Mbrohuni nga dielli

Stina e nxehtë ka sjellë rritje të ndjeshme të rasteve me sëmundje të lëkurës në Fier. Vetëm në një ditë, në Poliklinikën Qendrore paraqiten mesatarisht rreth 40 pacientë për vizita dermatologjike. “Sëmundjet infektive dhe bakteriale prekin të vegjlit për shkak se frekunetojnë pishinat”, shprehet dermatologu Ermal Sina. Sipas mjekut, alergjitë sezonale zënë vendin e parë mes diagnozave, të ndjekura nga infeksionet e lëkurës dhe melanoma, e cila mbetet një nga format më agresive të kancerit të lëkurës. “Melanoma është kancer vdekjeprurëse dhe ka pasur raste në Fier, madje dhe në moshat e reja jo vetëm tek të vjetrit”, thekson dermatologu. Dermatologët thonë se shtimi i rasteve lidhet edhe me mungesën e masave mbrojtëse nga qytetarët. Ata rekomandojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe përdorimin e kremrave mbrojtës.

“Nuk ka kulturë shëndetësore sepse nuk evitojnë pikun e diellit dhe nuk përdorin kremin mbrojtës me spf. Nuk duhet të dalin në diell grupmoshat e rrezikuara nga ora 10:00 deri në 16:00”, tha ai.
Shqetësues mbetet edhe rritja e rasteve me sëmundje tumorale të lëkurës. Sipas mjekëve, rreth 15 për qind e pacientëve që paraqiten për vizitë diagnostikohen me këto patologji, ndërsa rastet po evidentohen edhe te moshat e reja.

Mjekët u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë sezonit veror, pasi parandalimi, mbrojtja nga rrezet e diellit dhe kontrolli i hershëm mbeten mënyrat më efektive për të shmangur komplikacionet e sëmundjeve të lëkurës.