TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti amerikan, Donald Trump, mund të jetë më i prirur të miratojë një operacion ushtarak në shkallë të gjerë kundër Iranit në rast se republikanët pësojnë rezultate të dobëta në zgjedhjet e mesmandatit, sipas një raportimi të publikuar nga Axios.
Një zyrtar amerikan i ka deklaruar medias se një rezultat negativ elektoral mund të ndikojë në mënyrën se si Trump do të reagojë ndaj zhvillimeve me Iranin.
“Nëse ai ndihet i turpëruar ose i lënë mënjanë, do të bëjë diçka të guximshme”, citohet të ketë thënë zyrtari, duke shtuar se ky është mesazhi që po u përcillet edhe autoriteteve iraniane, të cilave u kërkohet të shfrytëzojnë mundësinë aktuale për të arritur një marrëveshje.
Megjithatë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e ka kundërshtuar këtë interpretim, duke deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve nuk do të ndikojnë në vendimet e presidentit amerikan për Iranin.
Përpjekje diplomatike për rifillimin e negociatave
Sipas Axios, ndërmjetësit nga Katari kanë zhvilluar bisedime për më shumë se 12 orë të premten në Teheran, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me Shtëpinë e Bardhë, në përpjekje për të rifilluar negociatat e drejtpërdrejta mes Washingtonit dhe Teheranit.
Një burim diplomatik e ka përshkruar ecurinë e diskutimeve si “pozitive”, ndërsa negociatat pritet të vijojnë në Doha.
Megjithatë, palët vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për kushtet e rikthimit në tryezën e bisedimeve. Washingtoni kërkon lëshime nga Irani në çështjen bërthamore, ndërsa Teherani kërkon fillimisht heqjen e bllokadës detare, lirimin e fondeve të ngrira dhe lejimin e shitjes së naftës.
Sipas raportimit, Katari po përpiqet gjithashtu të bindë Iranin të lejojë rikthimin e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara në objektet bërthamore të goditura nga sulmet, në këmbim të një lehtësimi të kufizuar të sanksioneve.
Përçarje në administratën Trump për strategjinë ndaj Iranit
Axios raporton gjithashtu për qëndrime të ndryshme brenda administratës amerikane lidhur me mënyrën se si duhet të veprojë Washingtoni ndaj Teheranit.
Sipas burimeve të medias, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shprehen skeptikë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje dhe mbështesin vazhdimin e presionit ndaj udhëheqjes iraniane.
Në anën tjetër, zëvendëspresidenti JD Vance, si dhe të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner, mbështesin rifillimin e negociatave diplomatike.
Zhvillimet vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, veçanërisht për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigjen e Teheranit në rajon.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe memorandumit të nënshkruar mes Washingtonit dhe Teheranit në qershor, mosmarrëveshjet për sigurinë, programin bërthamor dhe lundrimin në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të mbeten pengesë për uljen e tensioneve.