TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Christa Pike ka reaguar publikisht për herë të parë pasi i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit gjatë tentativës për ekzekutimin e saj, më 30 shtator, në shtetin e Tenesit, në SHBA.
50-vjeçarja ishte dënuar me vdekje për torturimin dhe vrasjen e shoqes së saj të klasës, Colleen Slemmer, në vitin 1995, kur ishte vetëm 18 vjeçe.
Në deklaratën e saj të parë publike, të publikuar përmes avokatëve të premten, Pike tregoi se që prej tentativës së dështuar të ekzekutimit po përjeton dhimbje të vazhdueshme fizike dhe psikologjike.
“Nuk ka pasur asnjë moment që nga ajo natë kur nuk kam pasur dhimbje. Më dhemb trupi. Më dhembin krahët. Më dhembin duart. Më dhemb fyti. Ende kam vështirësi të flas. Dhe dhimbja nuk është vetëm fizike. Ka dhimbje në mendjen dhe në shpirtin tim”, deklaroi ajo.
Pike tregoi se kishte hyrë në dhomën e ekzekutimit e përgatitur për të vdekur në paqe, por u zgjua e vetme dhe e hutuar në një shtrat spitali. Ajo shtoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të jetonte përtej datës së caktuar për ekzekutimin e saj.
“Nuk e di pse mbijetova atë natë. Nuk e di çfarë vjen më pas. Disa ditë, gjetja e shpresës është më e vështirë se të tjerat. Për momentin, po përpiqem të shërohem, ditë pas dite. Dhe po ruaj dashurinë dhe mirësinë e kaq shumë njerëzve që më kanë kujtuar se nuk jam vetëm”, u shpreh ajo.
Në deklaratën e saj, Pike kritikoi gjithashtu mënyrën se si u administrua tentativa e ekzekutimit, ndërsa shprehu ngushëllimet e saj për familjen e viktimës.
“Jam thellësisht e lënduar nga paaftësia që i ka vënë kaq shumë njerëz në këtë pozicion të tmerrshëm. Vazhdoj të mendoj për familjen e viktimës dhe dhimbjen e humbjen e tmerrshme që kanë përjetuar”, tha Pike.
Ndërkohë, avokatët e saj i kanë kërkuar guvernatorit të Tenesit, Bill Lee, që t'ia zëvendësojë dënimin me vdekje me burgim të përjetshëm.
Megjithatë, Lee u shpreh këtë javë se pret që dënimi i saj të mbetet në fuqi, përveç rastit kur gjykatat vendosin ndryshe.
“Dyshoj se dënimi i saj do të jetë i njëjtë me më parë, përveç nëse përcaktohet ndryshe nga gjykatat”, deklaroi guvernatori.
Pas dështimit të ekzekutimit, Bill Lee ka urdhëruar një hetim për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e asaj që ndodhi. Gjithashtu, ai ka vendosur të shtyjë injeksionin tjetër vdekjeprurës të planifikuar në shtet për këtë vit.
Rasti i Christa Pike ka rikthyer vëmendjen te procedurat e ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës në SHBA dhe përgjegjësia e autoriteteve për mënyrën se si zbatohen ato.