BOTA, 31 October 2026, 11:01

SHBA miraton shitjen e raketave Patriot për Ukrainën me vlerë 2.1 miliardë dollarë, Zelensky paralajmëron për vonesa

SHBA miraton shitjen e raketave Patriot për Ukrainën me vlerë 2.1

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, në një marrëveshje me vlerë 2.1 miliardë dollarë. Kievi i konsideron këto raketa jetike për mbrojtjen e vendit nga bombardimet e vazhdueshme ruse, të cilat muajt e fundit kanë shënjestruar zona të banuara dhe infrastrukturë civile.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se do të duhen “disa vjet” që 500 raketat e miratuara të mbërrijnë në Ukrainë.

Duke e mirëpritur vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilin e cilësoi si një “vendim të fuqishëm”, Zelensky shkroi në një postim në rrjetet sociale se “500 raketa PAC-3 përbëjnë numër të madh” dhe mund të krijojnë një paketë efektive mbrojtjeje për këtë dimër. Megjithatë, ai theksoi se “dërgesat mund të fillojnë vetëm pas disa vjetësh”.

“Po u kërkojmë partnerëve tanë amerikanë të gjejnë një zgjidhje për periudhën kur ekziston një rrezik i vërtetë dhe nevoja për përdorimin e raketave PAC-3”, u shpreh presidenti ukrainas, duke vënë në dukje se infrastruktura energjetike e vendit po sulmohet nga Rusia.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se shitja e propozuar e raketave, të cilat do të financohen nga Kanadaja, Gjermania dhe Norvegjia, do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Sipas DASH-it, kjo marrëveshje do të kontribuojë në “përmirësimin e sigurisë së një vendi partner që është faktor i stabilitetit politik dhe ekonomik në Evropë”.

Njoftimi për shitjen e propozuar erdhi pasi Zelensky, më 30 tetor, përsëriti thirrjet drejtuar Shteteve të Bashkuara për të përshpejtuar dërgimin e raketave parandaluese, të cilat konsiderohen si një nga mjetet më efektive për t'u mbrojtur nga sulmet ruse me raketa balistike.

Ndërkohë, në muajin shtator, Komisioni Evropian miratoi një fond prej 6.1 miliardë eurosh për prokurimin e pajisjeve të mbrojtjes për Ukrainën.