TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Goditet një grup i strukturuar kriminal – Arrestohen 5 persona, sekuestrohet lëndë plasëse, lëndë narkotike, municione luftarake dhe vlera monetare
Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Elbasanit në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit dhe Prokurorinë e Elbasanit, në kuadër të procedimit penal të referuar nga Policia lokale, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “POROSIA”.
Si rezultat i këtij operacioni të finalizuar me sukses pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, u arrestuan në flagrancë 5 shtetas dhe 1 u shpall në kërkim.
Ata janë:
- Geraldo Yzeirllari, 20 vjeç, banues në Pogradec;
- Kristi Maxhari, 21 vjeç, banues në Pogradec;
- Kristian Petani, 22 vjeç, banues në Pogradec;
- Edmond Abazi, 39 vjeç, banues në fshatin Hudenisht, Pogradec;
- Gazmor Kokla, 39 vjeç, banues në fshatin Gribë, Gramsh.
Arrestimi i tyre u krye nga forcat e posaçme në disa ndërhyrje në Pogradec dhe në Gramsh.
Shtetasve Geraldo Yzeirllari dhe Kristi Maxhari u janë gjetur dhe sekuestruar 82 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse, e llojit tritol.
Shtetasit Edmond Abazi i është gjetur dhe sekuestruar 1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Gazmor Kokla, në Gramsh janë gjetur 1 armë zjarri automatik, 1 pushkë me 440 fishekë, 3 automjete, 15 celularë si dhe sasi e konsiderueshme lekësh.
Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal është shpallur në kërkim shtetasi E.H., 20 vjeç banues në Pogradec, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.