AKTUALITET, 7 Shkurt 2018, 18:04

Romana Vlahutin: Presim nga Prokuroria progres për rastin e Saimir Tahirit

Romana Vlahutin: Presim nga Prokuroria progres për rastin e Saimir Tahirit

Hapja e negociatave e ankoron Shqipërinë në rrugën e pakthyeshme të reformave sistematike. Intervistë ekskluzive për DW e Kreut të Delegacionit të BE në Shqipëri, ambasadores Romana Vlahutin.

Në protestën anti-qeveritare të opozitës, në Tiranë, në fund të muajit të kaluar, lideri i opozitës, Basha përdori një narrativë të re, kur e quajti Shqipërinë një "Diktaturë Europiane”. Politikanë të lartë të BE, Federica Mogherini, Johannes Hahn etj. vlerësojnë me këmbëngulje - madje edhe së fundmi- se Shqipëria është në rrugën e duhur, se është afër hapjes së negociatave të anëtarësimit. Çfarë mendoni ju për këtë mospërputhje totale të narrativës së opozitës me vlerësimin e BE për Shqipërinë?

Puna jonë si diplomatë nuk është që të biem në kurthin e  retorikës së politikës së ditës por të shqyrtojmë faktet e konfirmuara dhe vetëm faktet e konfirmuara. Dhe kur them të konfirmuara e kam fjalën për fakte të vërtetuara nga institucione dhe agjenci të shumta të Bashkimit Europian, Shteteve Anëtare dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, në një proces shumë kompleks dhe gjithëpërfshirës të shkëmbimit të informacionit dhe konsultimeve ndërmjet shërbimeve. Kur Përfaqësuesja e Lartë e BE ose Komisioneri flasin për reformat në një vend, të lidhura me BE, vlerësimi i tyre bazohet në shumë burime informacioni dhe nëse ata thonë publikisht se Shqipëria po përparon, kjo do të thotë vetëm një gjë: që  institucionet e BE-së kanë identifikuar se ka në fakt  përparim. Po sjell si shembull problemin e kanabisit: të gjitha të dhënat tregojnë se kultivimi i kanabisit ka qenë për dekada të tëra një problem në Shqipëri. Ne i vumë në dukje qeverisë nevojën për një plan të menjëhershëm, vendimtar dhe të qëndrueshëm për çrrënjosjen e plotë të kanabisit, një herë e përgjithmonë. Ministritë përkatëse, të ndihmuara nga ekspertë ndërkombëtarë, hartuan një strategji që u zbatua që në fillim të vitit  2017. Dhe ja ku janë rezultatet: në vitin 2017 ka një rënie dramatike të numrit të plantacioneve të kanabisit dhe ne po  presim të shohim, këtë pranverë, paketën tjetër të të dhënave nga fluturimet  mbikqyrëse, (të kryera nga Guardia di Finanza).

Por nuk jemi naivë dhe e dimë që rrjetet kriminale nuk  heqin dorë, mbledhin plaҫkat dhe lëvizin në një destinacion tjetër. Prandaj, kemi punuar shumë me institucionet përgjegjëse për të bërë një ristrukturim të fuqishëm të forcës policore, që duhet të jetë e aftë të bëjë punën e saj në zbatim të ligjit, sipas standarteve ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar. Por çelësi i suksesit në luftën kundër tij dhe korrupsionit do të jetë zbatimi i reformës së drejtësisë, që do të përmbysë trendin e mungesës së rezultateve nga prokuroria dhe në shumë raste praktikat gjyqësore te korruptuara. Në muajt e fundit  kemi parë një forcë policore shumë më të angazhuar, kemi parë progres në rritjen e interesit gjyqësor për të identifikuar baronët e drogës. Për një rast ka më në fund një padi ,  një rast tjetër po rishqyrtohet nga gjykatat dhe për një rast i tretë u  morën masa për të sekuestruar fuqinë ekonomike. Po presim gjithashtu të shohim nëse Prokuroria do të bëjë progres të pandërprerë për rastin e ish-Ministrit të Brendshëm.

Ka shumë zhvillime, janë  edhe negociatat për marrëveshjen e vendosjes së oficerëve të FRONTEX  bashkë me kolegët e tyre shqiptarë në kufijtë shqiptarë, shumë mbështetje ekspertësh nga BE, Shtetet Anëtare dhe SHBA - ne shohim progres por ai duhet të forcohet vazhdimisht. Pra, edhe rezultate të tjera, të prekshme që do të provojnë vullnetin politik dhe kapacitetin e institucioneve për të prodhuar rezultate do të jenë shumë të mirëpritura.

Marrë me shkurtime nga DW