TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama gjatë një intervistë me televizionin britanik, BBC World, tha se afganët e ardhur janë strehuar përkohësisht në Shqipëri, por theksoi se, ata që dëshirojnë edhe mund të vendosen në vendin tonë.
Sipas kreut të Qeverisë shqiptaere në lidhjen me "Skype" nga Sllovenia, ka shumë afganë që kanë aplikuar për vizë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, por numri i tyre i madh do të bëjë që koha e largimit të tyre drejt tokës amerikane mund të zgjasë më shumë nga sa është thënë në fillim.
“Ne i ftuam për t’i mbajtur përkohësisht. Ndoshta do të jenë në gjendje më pas të shkojnë në SHBA. Situata është e ndërlikuar. Me kaq shumë njerëz që aplikojnë për vizë amerikane do të duhet më gjatë se ishte thënë. Jemi të gatshëm t’i mirëpresin të qëndrojnë në Shqipëri nëse duan të vendosen këtu.
Ne kemi qenë në këtë pozitë jo shumë kohë më parë. 30 vite më parë ishim ne afganët që përpiqeshim të largoheshim nga ferri për të mbërritur në Europë. Ka qenë mjaft e ngjashme sa i takon ankthit përballë të panjohurës. Kjo nderon historinë dhe traditën tonë. Po bëjmë diçka që unë besoj që ua detyrojmë edhe fëmijëve tanë, që të rriten me besimin që në jetë ka një kohë të japësh dhe një kohë të marrësh. Ne nuk jemi vend i pasur por besoj se kemi mjaftueshëm për të ndarë me këta njerëz. Ne nuk jemi vetëm. Ka shumë organizata që kujdesen për ta”, u shpreh Rama.
Rama përdori shprehje shqiptaren: “bukë e kripë e zemër”, duke theksuar se këto nuk do iu mungojnë afganëve në Shqipëri, ndërsa strehimin e tyre në vendin tonë e paralelizoi me situatën e shqiptarëve që u larguan drejt Europës 30 vite më parë.
“Ne për momentin po mbështetemi vetëm te bashkëpunimi me njerëzit që kanë zemër të pasur. Është një numër i konsiderueshëm njerëzish që e kanë zemrën të pastër. Kemi një thënie në Shqipëri: “bukë, kripë dhe zemër”. Nuk do ju mungojnë këto të treja. Për pjesën tjetër do ia dalim. Ne mirëpritëm gjysmë milioni gjatë kohës së spastrimit etnik në Kosovë. Atëherë ishim edhe më të varfër. U pasuruam edhe më shumë në shpirt dhe mësuam se në këtë jetë kujtesa është shumë e rëndësishme.
Jemi aty t’u themi se mund ta ndjejnë vetëm në shtëpi. Bëmë atë që do donim që të tjerët të bënin për ne. Është një moment përmbushës për ne. Shumica e shqiptarëve po tregojnë se jemi të jashtëzakonshëm”, theksoi ai.