AKTUALITET, 31 Gusht 2021, 16:07

Situatë kritike në Kosovë, 189 të vdekur në dhjetë ditët e fundit. Qeveria përpiqet të kontrollojë situatën me ashpërsim të masave

Situatë kritike në Kosovë, 189 të vdekur në dhjetë


Shteti i Kosovës po përballet me një situatë shëndetësore kritike, të shkaktuar nga varianti Delta i koronavirusit.

Në dhjetë ditët e fundit ka patur 189 të vdekur si pasojë e virusit dhe janë infektuar 17,426 persona.

Rekordi i zi u vendos ditën e diel në 29 gusht, kur humbën jetën 36 qytetarë.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit, qeveria e Albin Kurtit, e cila gjithashtu po përballet me kritika, ka ashpërsuar masat, duke filluar nga hyrja në kufi, e cila do të lejohet vetëm me çertifikatën e vaksinimit, testin PCR negativ ose dëshminë që persona e ka kaluar koronavirusin brenda gjashtë muajve të fundit.

Nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00, ndërsa në institucionet publike dhe private, duhet që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial duhet të punojë nga shtëpia.

Po kështu, aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar pezullohet deri me datë 13 shtator 2021.

Qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese, me qëllim të kontrollit dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19, në aktivitetet dhe bizneset të cilat bashkojnë një numër të madh njerëzish në të njëjtin vend, dhe në të cilat ruajtja e distancës fizike është e vështirë dhe kështu paraqesin një rrezik në rritje të transmetimit të virusit.

Konkretisht është ndaluar, veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, eskskursioneve, peligrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore,  në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

/TPZ.al/ 

Fatalitetet dhe infektimet në dhjetë ditët e fundit:  

22 Gusht  - 11 të vdekur, 1682 të infektuar

23 Gusht – 17 të vdekur, 1067 të infektuar

24 Gusht  - 13 të vdekur, 1901 të infektuar

25 Gusht  - 14 të vdekur, 2541 të infektuar

26 Gusht – 18 të vdekur, 2295 të infektuar

27 Gusht – 16 të vdekur, 2,098 të infektuar

28 Gusht – 18 të vdekur, 1891 të infektuar

29 Gusht – 36 të vdekur, 1630 të infektuar

30 Gusht – 20 të vdekur, 932 të infektuar

31 Gusht – 26 të vdekur, 1383 të infektuar

Në dhjetë ditët e fundit, kanë humbur jetën 189 persona dhe janë infektuar 17, 426