AKTUALITET, 7 Maj 2019, 12:00

Efektivja e FA humbi jetën në Letoni, babai: Çfarë më tha para se të vdiste


Flet për mediat babai i ushtarakes që u vra në Letoni, Zarife Hasanaj.

Muharrem Hasanaj ka thënë se kishte folur me të bijën para se të ndodhte ngjarja e rëndë.

Ai ka thënë se e bija kishte 10 vite në ushtri dhe se në 22 dhjetor e kishte përcjellë vetë në Rinas.

“Fatin e vajzës sime mos ta ketë kush. Specialiteti i saj ishte të pastronte vendin nga minat, por i ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte.

Takimin e fundit me të e kam pasur në 22 dhjetor kur e përcolla në Rinas për në Letoni. Pas asaj dite flisnim vetëm në telefon. Na merrte çdo dite dhe na pyeste a jemi mirë.

Edhe dje në mëngjes folëm. Me tha se ishte mirë dhe se do të shkonte në punë. Pastaj mora lajmin e asaj që ndodhi. Vajza punonte prej më shumë se 10 vjetësh në ushtri. Ishte dëshira e saj. I pëlqente uniforma.

Ma ka shprehur këtë dëshirë para 10 vjetësh kur dorëzoi dokumentet për tu pranuar në ushtri.

Unë si plak dhe malësor nuk isha dakord me këtë zgjedhje por përsëri e pranova, sepse të rinjve nuk ua pengon dot dëshirat”,- rrëfen më tej ai.