AKTUALITET, 9 Maj 2019, 21:50

Arta Marku: Dosja 339 ka përgjime pafund ende të pazbardhura

Arta Marku: Dosja 339 ka përgjime pafund ende të pazbardhura

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku e cila garon për një mandat tashmë 7-vjeçar në krye të organit të akuzës, tregoi jo vetëm synimet e saj, por edhe punën e deritanishme në Prokurori gjatë intervistës së dhënë për emisionin “Open” në TCH.

Gjatë punës së saj, zonja Marku është ndeshur me disa dosje të nxehta. Njëra prej tyre është “dosja 339”, apo siç njihet zyrtarisht “339-1”, prej së cilës janë shfaqur në publik përgjime të eksponentëve kriminalë, grupi i Avdylajve, në komunikim me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Përpara se të përgjigjej për këtë dosje, zonja Marku shpjegoi sesi funksionon sistemi i prokurorisë.

“Prokuroria nuk është më një organ i centralizuar, piramidal, në kuptimin që varet nga Prokurori i Përgjithshëm, por një sistem tërësisht i decentralizuar pas ndryshimeve të fundit kushtetuese të vitit 2016 dhe ligjeve që pasuan.

Zot i çdo çështjeje penale janë vet prokurorët në krye tyre, duke u përgjigjur për hetimin, për zgjidhjen dhe japin llogari vetëm përpara gjykatës për vendimmarrjen e tyre. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë informacion të detajuar për asnjë nga çështjet, nuk mund të marrë përsipër vet hetime, madje në Prokurorinë e Përgjithshme nuk bëhen më hetime.

Kjo Prokurori ka vetëm të drejtën për të përfaqësuar çështje në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese”, – tha zonja Marku, duke nënkuptuar kështu mosdijeninë e saj mbi dosjen e bujshme.

Megjithatë, informacioni që merr Prokurori i Përgjithshëm, sipas saj është i karakterit statistikor ose procedural. Por përse nuk përfundon hetimi i këtyre dosjeve? Sipas Markut, këto dosje janë mbajtur vetëm në fazën e hetimit, me përgjime pa fund dhe asnjë nuk është zbardhur në letër.