AKTUALITET, 11 Shkurt 2020, 13:52

Arrestimi i Vladimir Gjutës pranë selisë së PS/ Policia: Kemi nisur hetim pasuror, i sekuestruam makinën e blinduar

Arrestimi i Vladimir Gjutës pranë selisë së PS/ Policia:


Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen e djeshme pranë selisë së Partisë Socialiste, ku u arrestua i armatosur dhe me mijëra euro me vete, Vladimir Gjuta, person me precedent penal.

Policia njofton se ndaj Vladimir Gjutës ka nisur një hetim pasuror dhe sqaron se 40-vjeçarit është sekuestruar, një mjet i blinduar tip “Audi A8”, një pistoletë, 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me prokurorinë, nisi hetimin pasuror ndaj shtetasit V. Gj. 40-vjecari V.Gj, i arrestuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 3, pasi u kap me armë zjarri me vete dhe një shumë të madhe parash.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe shuma të mëdha parash.

Sekuestrohet edhe një automjet i blinduar që e kishte në përdorim 40-vjeçari V. Gj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrugën “Çamëria”, rreth orës 08:45, të datës 10.02.2020, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Gj, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë. Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, këtij shtetasi iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municon luftarak,

një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash. Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.

Po gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. Gj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas. Në vijim të veprimeve, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur hetimi pasuror për shtetasin V. Gj. Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Vladimir Gjuta është arrestuar ditën e djeshme. 40-vjeçari u pikas pranë selisë së Partisë Socialiste me një pistoletë gati për të qëlluar dhe 100 mijë euro me vete. Në Polici ai tha se armën e kishte marrë pasi kishte shumë para me vete.

Ndërkoha Garda rriti sigurinë për kryeministrin Edi Rama, të cilin e largoi nga selia me “Lincoln” të blinduar.