AKTUALITET, 7 Tetor 2018, 12:16

“Arrest me burg” për Eljo Haton, avokati: S’ka qëlluar me armë, s’ka prova

Pas kërkesës së Prokurorisë për masën e sigurisë “arrest me burg” për Eljon Haton ka reaguar nga Spitali Ushtarak avokati i tij Zeni Qiamini.

Sipas tij Prokuroria nuk i mbështet akuzat e saj dhe ka shfajësuar klientin e tij, pasi deklaron që ai nuk ka qëlluar më armë gjatë përplasjes në ish-Bllok.

“Ishim në seancë gjyqësore te spitali ushtarak në Tiranë. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit me burg për Haton. Unë kërkova në seancë që gjykata të vlerësojë si të paligjshëm arrestimin në flagrancë, pasi nuk janë kushtet dhe rrethanat për të caktuar këtë masë sigurimi. Nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm të mbështetur në prova.

Ai akuzohet për një vepër penale të rëndë. Asnjëra nga pretendimet e prokurorisë për ne si mbrojtje nuk janë të bazuara në ligj. Vendimi do të jepet më vonë. Gjendja është e rëndë, ndodhet në reanimacion.

S’ka as shenjë gishtash, as gjurmë të qitjes. Pamje filmike nuk ka pasur. S’më duket asnjë provë bindëse për të provuar akuzat e prokurorisë. Ai është i pafajshëm në këtë situatë”, tha avokati i Hatos.

Avokati këmbënguli se për klientin e tij nuk ka shenja gishtash, as gjurmë të qitjes e pamje filmike që mund të çojnë në masën e sigurisë “arrest me burg”. TPZ.AL