AKTUALITET, 5 November 2026, 23:10

Arlind Qori: Zgjedhjet lokale janë larg, mendoj se Rama nuk kap as vitin 2027

Arlind Qori: Zgjedhjet lokale janë larg, mendoj se Rama nuk kap as vitin

Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në Vizion Plus, deklaroi se protestat për largimin e Ramës ngjajnë me ato të vitit 90-91 dhe se Rama mund të mos e arrijë vitin 2027 si kryeministër. 

"Ne që prej fillimit të protestës, e kemi pezulluar aktivitetin partiak, forcat tona janë që të mbështesin protestën. Kapitali ynë janë aktivistët dhe njerëzit. 

Ne jemi një rrëke e vogël në një lumë të madh që ka dalë nga shtrati, lumi i qytetarëve. Nuk më shkon mua të kërkoj merita që nuk i kam.  Ajo që mendoj se vlen për një parti, është çfarë bën kur lumi del nga shtrati. Lëvizja Bashkë e ka dhënë kontributin përpara se të nisin protestat në Tiranë, ditët e ngjarjes traumatike në Zvërnec, ku ndodhi përplasja e tmerrshme me policinë private, që ishte simbol i asaj që ndodh në Shqipëri, prej interesave private një qytetari i vunë pistoletën në kokë. Njerëzit u derdhën në rrugë dhe vijojnë të jenë në rrugë. Kush ka sens të historisë, kupton se mbi pushteti nuk është afatgjatë. Rama duke fituar në mënyrë brutale, nisi të sharrojë degën ku ishte ulur vetë. Ajo fitore si e Pirros tregonte se fundi i tij ishte i afërt. 

Rama pas 2025 nuk kishte më asnjë justifikim, nuk mund të thoshte se nuk është ai fajtori. 

Viti 2029 më duket larg, nuk mendoj se Rama do ta arrijë, ne jemi aty për të dhënë kontirbutin tonë në protestë, që ai të mos kapë as vitin 2027. Secili nga ne ka në dorë të bëjë maksimumin. 

Po të pyesësh Ramën, dorëheqjen dhe zgjedhjet e parakohshme i konsideron si atentat ndaj Kushtetutës. Nuk e percepton dot. Në fund fare do ta përcaktojnë zgjedhjet se kush do të qeverisë. Unë kam besuar se Rama do të bjerë me protesta. 

Padiskutim që kjo është një protestë, që nga përmasat, kërkesat, entuziasmi, është e afërt me protestat e viteve 90-91

Bashkë të hyjmë në listë elektorale si e 2025? Përvoja na tregoi se ai eksperiment rezultoi i dështuar. Nëse bashkë do të thotë, që secila parti, madje edhe më shumë se dje, ta japë maksimumin të mbështesë protestën… Ajo që do të kërkoja është që secili nga ne, të vazhdojë të japë ç’mundet që protesta të kurorëzohet. Më ka shqetësuar ditët e fundit, orvatja për ta zhvendosur temën nga rrëzimi i Ramës, në zgjedhjet lokale. Mua më duken shumë larg zgjedhjet lokale, pasi mendoj se ka një potencial të madh që Rama të rrëzohet para zgjedhjeve lokale. Orvatja që dikush me keqdashje, dikush nga naiviteti, bie në këtë, më duket e parakohshme dhe më duket se na heq fokusin nga çështjet kryesore, çdo njeri sot duhet të pyes veten cfarë mund të bëjë, që protesta të kapë përsëri kulme, të jetë më e fuqishme dhe protesta të rrëzojë qeverinë. 

Nëse arrijmë këtë, kemi arritur diçka të jashtëzakonshme, pasi do të arrihet rrëzimi i një qeverie pa shkuar te kallashnikovi", deklaroi Qori.