AKTUALITET, 5 Shkurt 2018, 19:10

Ardi Veliu prezantohet si Drejtori i ri i Policisë, thumbon paraadhësin Çako

Ardi Veliu prezantohet si Drejtori i ri i Policisë, thumbon

Është prezantuar zyrtarisht, Drejtori i ri i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, pak orë pas emërimit të tij në këtë post.

I shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Veliu nuk i fshehu dot emocionet, pasi qëndroi në një moment i humbën edhe fjalët.

Por mes të tjerave në fjalën e tij, Ardi Veliu thumboi edhe paraardhësin Haki Çako, duke theksuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet për të luftuar krimin e korrupsionin. Por se këto kapacitete, sipas drejtorit të ri të policisë, nuk janë shfrytëzuar siç duhet.

Mes të tjerave, ai e cilësoi këtë si një ditë të vecantë për të pasi i është besuar detyra që ëndërron çdo oficer policie.

Fjala e plotë e Drejtorit të Ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu.

I nderuar Z. Ministër!

Të nderuar kolegë!

Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua. Sot më është besuar detyra e rëndësishme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Çdo oficer policie e ëndërron këtë detyrë dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar dhe unë.

Por sot, e shoh si sfidën e jetës sime, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe atyre që ma besuan këtë detyrë.

Përgjegjësia ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndaj besimit të Qeverisë së Shqipërisë ndaj meje, në këtë moment që ndodhet rendi dhe siguria publike, në Shqipëri, më angazhon mua për të dhënë maksimumin e përkushtimit tim, për të përmbushur me sukses këtë mision.

Unë e di qe nuk jam vetëm në realizimin e këtij misioni. E po kështu jam i ndërgjegjshëm që organizata e policisë është institucioni më i besuar nga publiku në Shqipëri.

Jam i vendosur të punoj me përkushtim së bashku me ju kolegë të nderuar për të realizuar të gjitha objektivat e vëna nga Qeveria Shqiptare, në drejtim të përmirësimit të situatës së rendit e sigurisë si edhe përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të organizatës së policisë në publik.

Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik në të gjitha nivelet, për të qenë më rezultative në realizimin e të gjitha strategjive të miratuara për rendin.

Dhe kjo do të ndodhë.

Ka nevojë për një ristrukturim të efektshëm si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.

Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më efiçent të burimeve njerëzore.

Ne polici nuk mungojnë njerëzit e kualifikuar e profesionistë, po ata jo gjithmonë kanë qenë në vendin e duhur.

Vënia në efiçencë e kapaciteteve njerëzore, trajnimi i tyre i mëtejshëm, ngritja në vazhdimësi e kapaciteteve të reja, vlerësimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së punonjësve të policisë, do jetë objektivi kryesor i punës së policisë në të ardhmen.

Do ti kushtojmë vëmendje trajtimit të personelit për ti bërë ata më të motivuar e përkushtuar për të realizuar objektivat.

Do të vlerësohet punonjësi i policisë, i cili është më i përkushtuar dhe më rezultativ.

Menaxhimi me efiçence i burimeve financiare, logjistike si edhe përmirësimi i vazhdueshëm i teknologjisë do të jetë fokusi i punës së Policisë që unë do të drejtoj me përkushtim.

Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të vlefshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të arritur në një polici të standardeve perëndimore.

Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë partnerët e sferës profesionale e shoqërore në vend, duke mos harruar asnjëherë se policimi është një profesion ku duhet të kontribuojnë të gjithë.

I nderuar Z. Ministër!

Besimi, që Qeveria Shqiptare pati për të më ngarkuar këtë detyrë, më vë para një përgjegjësie shumë të madhe, të cilën unë do të mundohem ta justifikoj duke e drejtuar organizatën e Policisë drejt sfidave që kërkon koha, së bashku me kolegët e mi.

Ju faleminderit Z. Ministër!

Ju faleminderit kolegë!