AKTUALITET, 18 Dhjetor 2020, 11:46

Aplikimet për dëmshpërblim nga tërmeti, durrsakët dynden në Prefekturë: E pamundur brenda një dite

Aplikimet për dëmshpërblim nga tërmeti, durrsakët

Trembëdhjetë muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, qeveria ka vendosur të hapë aplikimet për dëmshpërblim banorët që janë dëmtuar nga tërmeti.

Hapja e aplikimeve ka bërë që para prefekturës të dynden më shumë se dy mijë banorë nga lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nuk kanë mundur dot të aplikojnë dhe të marrin dëmshpërblim pas dëmeve që kanë pësuar banesat e tyre nga tërmeti.

Banorët thonë se e kanë mësuar pothuajse rastësisht që do të hapeshin aplikimet dhe një pjesë e tyre nuk kanë arritur të sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm për të marrë dëmshpërblimet.

Një pjesë e tyre thonë për mediat se janë emigrantë dhe për shkak të pandemisë nuk janë bërë dot pjesë e procesit.

Prefektura është rrethuar nga policia, por është e pamundur ruajtja e distancave dhe respektimi i masave anti COVID.

Ka shumë ankesa nga ana e qytetarëve që thonë se aplikimi për një ditë është krejtësisht i pamundur.