TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Revista amerikane “Forbes” ka shpallur kancelaren gjermane Angela Merkel gruan më të fuqishme në botë për vitin 2017, transmeton Anadolu Agency. Ky është viti i shtatë radhazi, që “Forbes” përzgjedh kancelaren gjermane për gruan më të fuqishme në botë, nga gjithsej 12 përzgjedhje sa ka bërë deri më sot, shkruan “The Guardian”.
Vendin e parë në listë, Merkel e vulosi me fitoren e fundit në zgjedhjet federale në shtator të këtij viti, ku siguroi mandatin e saj të katërt. Vendi i dytë i ka takuar kryeministres britanike, Theresa May, përkundër një viti shumë të vështirë në të cilin partia e saj nuk arriti të marrë shumicën parlamentare në zgjedhjet të cilat u mbajtën në qershor.
Qasja e saj ndaj Brexitit, një proces që do të ketë pasoja afatgjata për Britaninë e Madhe dhe pjesën tjetër të Evropës, ka bërë që May përkundër brishtësisë politike të mbetet njëra nga figurat politike botërore. E treta në listën me 100 gratë më të fuqishme në botë është filantropistja dhe afaristja amerikane Melinda Gates.
E katërta radhitet Sheryl Sandberg, drejtore ekzekutive e Facebookut, ndërsa e pesta është drejtoresha ekzekutive e General Motors, Mary Barra. Për herë të parë në listën e Forbes për 100 gratë më të fuqishme është radhitur Ivanka Trump, e bija, njëherësh këshilltare e presidentit amerikan Donald Trump. Në konkurrencë ajo është renditur në vendin e 19-të, ndërsa për herë të parë, në këtë listë ka hyrë edhe Nikki Haley, ambasadore e SHBA-ve në OKB (vendi 43), dhe aktorja Priyanka Chopra (vendi i 97-të), aktualisht ambasadore e UNICEF-it e Vullnetit të Mirë.
Ish-zonja e Parë amerikane, Michelle Obama, nuk është fare në këtë listë, pasi vitin e kaluar lëshoi Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Hillary Clinton e cila në listën e Forbesit ka qenë e pranishme që nga viti 2004, ka rënë nga pozita e dytë, vitin e kaluar, në vendin e 65-të.