AKTUALITET, 10 Shtator 2019, 12:35

Akuzat për Tahirin, dy prokurorët nuk bien në një mendje, ish-ministri: Saktësojeni! Si kam qenë i përfshirë?

Akuzat për Tahirin, dy prokurorët nuk bien në një mendje,


Detaje të reja kanë dalë nga seanca gjyqësore që po zhvillohet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Gjatë seancës, gjyqtari Ardit Mustafaj i ka kërkuar dy prokurorëve Dritan Prençit dhe Vladimir Marës që të saktësojnë se kush ishin konkretisht operacionet e trafikut të drogës, të cilët ata dyshojnë se janë favorizuar nga Tahiri.

Ndër operacionet, dy prokurorët kanë përmendur edhe atë të bandës së Babicës, ku u kapën 3 978 kg kanabis dhe u arrestua Armando Koçerri.

Në këtë moment ka ndërhyrë mbrojtja e Tahirit, e cila është shprehur se nëse kjo është një akuzë e re, procesi gjyqësor duhet të shtyhet. Prokuroria është përgjigjur se nuk është një akuzë e re por një fakt.

Sërish në këtë moment ka ndërhyrë gjyqtari Mustafaj, i cili pyeti sërish nëse në provat për Tahirin përfshihej sekuestrimi i drogës së Armando Koçerrit. Në përgjigje dy prokurorët Premçi dhe Mara kundërshtuan njëri-tjetrin.

Fakti që dy prokurorët nuk ishin në një mendje, ka ndezur “gjakrat” nga pala e akuzuar, ku vetë ish-ministri Tahiri është ngritur në këmbë dhe i është drejtuar akuzuesve me pyetje.

“Saktësojeni nëse akuzohem apo jo. Në momentin e sekuestrimit të drogës Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar leje për arrestimin tim dhe unë po përballesha në Kuvend. Si mund të jem i përfshirë kur kam dorëzuar edhe mandatin e deputetit?,”-mësohet se ka thënë Tahiri gjatë seancës.

Operacioni të cilën pretendojnë prokurorët është zhvilluar më 19 tetor 2017, kohë kur postin e ministrit të Brendshëm prej disa muajsh e mbante Fatmir Xhafaj.