AKTUALITET, 10 Shtator 2019, 12:15

Seanca maratonë në Gjykatë, Tahiri nxjerr shkresën ‘SEKRETE’: Informova Kodhelin për radarët që s’punonin, Habilajt si kam ndihmuar kurrë!

Seanca maratonë në Gjykatë, Tahiri nxjerr shkresën


Dalin detaje nga mbrojtja që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka bërë sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Tahiri ka thënë se nuk i ka ndihmuar kurrë kushërinjtë e tij të arrestuar tanimë në Itali.

Për këtë ai ka sjellë në vëmendje vitet 2013-2014, pasi ata kanë qenë të proceduar për pengmarrje.

“Prokuroria më akuzon për katër episode, që kanë ndodhur në vitet 2013-2015. Si ka mundësi që prokuroria të më akuzojë për kultivim drogë para se të marr detyrën e ministrit të Brendshëm?

Policia e Shtetit më 3.10.2013 ata janë dërguar në procedim penal. Si mundet që t’i dërgoja në procedim nëse i favorizoja në trafikun e drogës? Të paktën në dy raste të tjera, PSH i ka denoncuar dhe proceduar vëllezërit Habilaj. Artan, Florian dhe Moisi Habilaj, për pengmarrje.

Janë dërguar në vijën e dytë për kontroll në TIM-s. Si mund t’i bëja nëse i favorizoja?"-mësohet të jetë shprehur Tahiri në Gjykatë.

Tahiri është ndalur edhe tek çështja e radarëve që nuk punonin. Ish-ministri ka treguar se ka patur një shkresë “Top Secret” të cilën ia ka dërguar ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ku e ka informuar se policia ka konstatuar se radarët nuk punojnë.

“Unë në kohën që kam qenë ministër i Brendshëm, në vitin 2016, i kam dërguar një shkresë konfidenciale, “Top Secrete”, koleges sime, ish-ministres Mimi Kodheli.

Në këtë shkresë, e kam vënë në dijeni se radarët e ushtrisë nuk punonin, pasi Policia kishte konstatuar mosfunksionimin e tyre, duke hapur një rrugë të re për trafikun e drogës.”-ka thënë Tahiri.