TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Elisa Spiropali është "dehur" nga fitorja historike e PS-së, për herë të parë në 32 vite, në bashkinë e Shkodrës. Në Një postim të një ore më parë, ministrja e shtetit, deputete dhe drejtuese politike në kryeqendrën e veriut, rendit disa motive që thotë pse Zoja Shkodër asht' dashni, siç shkruan në dialekt.
Spiropali u dërgua nga Rama për të drejtua operacionin e "marrjes" së Shkodrës në fundvitin 2022, duke drejtuar kalimin e ish-deputetit të LSI-së, Agron Çela drejt PS-së dhe drejtimin e fushatës së deputetit Benet Beci për të mundur kryetarin Bardh Spahia, siç edhe ndodhi më 14 maj.
Postimi i Spiropalit
Zoja Shkodër asht' Dashni
Zoja Shkodër asht' Dashni për disa arsye.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse qytetet dallohen dhe mburren, për shembull, ngaqë njëri ka pranë një kështjellë të famshme, tjetri lumë që vjen nga larg duke u spërdredhur mes maleve, tjetri urë të famshme, tjetri mal të lartë, tjetri liqen të magjishëm, tjetri det, e kështu me radhë.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse është i vetmi qytet në botë që nuk ka 1 por krejt mrekullitë e botës.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër ka kala hijerëndë me legjendën më drithëruese dhe më të bukur në botë. Jo e bukur vetëm për me habit vizitorët me legjenda. E bukur sepse ka bërë efektivisht luftëra nga më të tmerrshmet.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër ka det.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër nuk ka 1 por 3 lumenj, Drinin, Kirin, Bunën.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër ka Urën e Mesit që është urë nga më mahnitëset në botë.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër nuk ka 1 mal, por mu në oborr të Saj, krejt Alpet e egra dhe madhështore.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër ka Kisha dhe Xhami me histori jashtëzakonisht interesante.
E të tjera, e të tjera.
Por Zoja Shkodër asht' Dashni edhe sepse ka;
Qytetari' me ja pasë zili,
Histori frymëndalëse,
Natyrë, ngjyra, aroma, marramendëse.
Klimë të pakonkurrueshme,
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër dhe Zojat e Zotnit shkodranë nuk ngjajnë me askënd në botë, veçse me veten e vet.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse diktaturën, në mënyrën më inteligjente, më therëse, më ironike, më bukur dhe më hidhur prej krejt nahive të tjera të Shqipërisë, e ka tallë, e ka përqeshë, Zoja Shkodër, Zojat dhe Zotnitë shkodranë.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse barcaletat më të rrezikshme, më me spec kundër diktaturës, ato që përmes humorit evidentonin anët më të errëta dhe më kriminale të diktaturës, para se me ardh në Tiranë, janë shpik në Shkodër.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse zërat më të bukur, tingujt më të fuqishëm, këngët më melodioze të vjetra dhe të reja, e kanë shtëpinë, ku tjetër veçse te Zoja Shkodër?!
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse në krejt botën, natën poshtë dritares apo dikund tjetër, për me lyp Dashuri i këndohen serenata të dashurës, e shumta të fejuarës. E Zoja Shkodër asht' Dashni edhe sepse Zoja Shkodër asht i vetmi qytet në botë, aq i butë e aq i bukur, aq plot me dashuri, ku serenata i këndohet edhe Nuses. Kënga e mrekullueshme "Serenatë Nuses" asht' prova.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër dhe Zojat e Zotnit e Zojës Shkodër e bënë dallimin mes mashtruesit dhe të sinqertit, seriozit dhe qesharakut, punëtorit dhe parazitit.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër nuk është tamam-tamam qytet.
Shumë më tepër se qytet, Zoja Shkodër asht' muzë frymëzuese për gjithkend që i afrohet, e kupton, e ndjen.
Zoja Shkodër asht' Dashni sepse Zoja Shkodër, tu e dit' sa fort e du, ma fal që nuk ia imitova si duhet Dialektin.