TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Drejtësisë, njëherësh drejtuesi politik i qarkut të Lezhës, Ulsi Manja shpalli sot fitoren e kandidates së Partisë Socialiste në bashkinë e Kurbinit, Majlinda Cara.
Në një deklaratë për media nga selia e PS-së, Manja tha se, “Kurbini foli qartë duke na dhënë të gjithëve një leksion demokracie dhe qytetarie duke zgjedhur për të dytin mandat një zonjë në krye të bashkisë, Majlinda Cara”.
“Të gjithë e dimë që bashkia e Kurbinit nuk mund të fitohej pa mbështetjen e votuesve të djathtë dhe dua t’i falënderoj sot të gjithë pa dallim për mbështetjen dhe votën për Majlindën. Dua t’i garantoj të gjithë se Majlinda Cara, në krye të bashkisë, do të jetë kryetarja e bashkisë pa dallim bindjesh politike”, nënvizoi Manja.
Manja u shpreh se, “qytetarët e Kurbinit besojnë tek Edi Rama, që së bashku me Majlindën do të bëjmë punë të mira për Kurbinin. Qytetarët e Milotit do të kenë pazarin. Kurbini mbarë do të ketë një turizëm elitar fetar dhe do ta shndërrojmë në një nga atraksionet turistike fetare më të vizituara në rajon. Mamurrasi do të ketë unazën e re”.
“Kam besim se një zonjë si Majlinda është njeriu i duhur për Kurbinin, fituam Lezhën, qershia mbi tortë ishte fitorja e Majlindës, një zonjë në krye të bashkisë. Por dua të uroj edhe 5160 zemra mirditorësh që na mbështetën në Mirditë, por nuk ia dolëm se 1 mijë mirditorë mendojnë ndryshe nga ne, mendojnë se e ardhmja e Mirditës është me Sali Berishën. Por ne do të respektojmë vullnetin e tyre”, tha Manja.
Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara tha se, “bashkia Kurbin iu bashkua trenit të fitores së PS-së”.
“Mirënjohëse pa fund për bashkëqytetarët e mi që më besuan të drejtoj bashkinë Kurbin edhe për një mandat tjetër. Faleminderit kryeministrit Rama për mbështetjen gjatë rrugëtimit, gjatë mandatit të parë! Faleminderit drejtuesit politik Ulsi Manja, që nuk na u nda për 30 ditë fushate në terren me bashkëqytetarët kurbinas, për të dhënë fitoren edhe për një mandat të dytë”, theksoi Cara.
Cara u shpreh se, “Kurbini tregoi që do ecë përpara me zhvillimin e për të mbaruar punët e mira që janë në vazhdim e për ta çuar më përpara me zhvillimin e mëtejshëm të tij. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe do jem në krye të punëve për 4 vitet e ardhshme, siç bëra mandatin e parë”.