AKTUALITET, 30 Korrik 2024, 21:02

Zjarret në Shëngjin, Balla: Pesë vatra aktive, problem mbetet kurora me pisha, nuk kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme

Zjarret në Shëngjin, Balla: Pesë vatra aktive, problem mbetet

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në Qarkun e Lezhës, duke thënë se pesë vatra zjarri janë aktive. Balla u shpreh se me situatën që po përballen duhet një ndërhyrje nga ajri. Ai gjithashtu tha se është një operacion i vështirë, ku era favorizon flakët.

Ministri i Brendshëm më tej u shpreh se nga vlerësimi paraprak nuk kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme. Sipas tij, të gjithë strukturat janë në krye të detyrës. Balla tha se nuk ka asnjë hotel të përfshirë nga zjarri, flakët mund të jenë afruar, por nuk ka asnjë banesë të përfshirë nga flakët.

“Në kushtet e kësaj ere kemi një përhapje të flakëve. Po punohet në mënyrë të pandërprerë. Janë 5 vatra zjarri aktive. jam shumë i shqetësuar për vatrat në Kurorën mbi qytet, gjithashtu kemi situatë në Ramën e Hedhun, apo edhe në Shëngjin. Jemi në komunikime të vazhdueshme me vendet e BE-së për të siguruar ndihmën nga ajri. Dy avionë janë në veprim, gjithashtu Ministria e Mbrojtjes është në kontakt me KFOR, për të siguruar një tjetër ndërhyrje nga ajri”, tha Balla.