AKTUALITET, 28 Gusht 2025, 09:59

'Zjarret'/ Mbrojtja: 14 vatra në 24 orë, 3 janë ende aktive në Vlorë dhe Korçë, 2 nën monitorim!

'Zjarret'/ Mbrojtja: 14 vatra në 24 orë, 3 janë ende

Zjarret në vend kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme këtë verë, teksa edhe muaji gusht po del me vatra aktive në disa qarqe.

Orët e fundit kanë qenë kritike për 3 zona ku ka pasur vatra zjarri që po vijojnë të djegin pyje dhe bimësi.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00 e datës 27 gusht deri në orën 09:00 të datës 28 gusht, janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave 3 janë ende aktive, 2 janë nën monitorim dhe pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.

Më problematike janë vatrat në Akërni të Vlorës, zona e Poros dhe ajo në Miras të Devollit, qarku Korçë.

Nën monitorim janë vatrat në Bogovë të Skraparit, në Parkun e Gërmenjit në Korçë dhe ajo në Pezë-Helmës të Tiranës.

Njoftimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

“Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00 e datës 27 gusht deri në orën 09:00 të datës 28 gusht, janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave:

-3 janë ende aktive

-2 janë nën monitorim

-pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.

Vatrat aktive

-Në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë, vatra e nisur më 25 gusht vijon në pyllin e Pishë-Poros. Sot në terren po punojnë 30 forca zjarrfikëse e bashkiake dhe 20 efektivë të FA me 3 automjete. Zjarri ka intensitet të ulët, duke djegur kryesisht trungje brenda vatrës.

-Në fshatin Miras, bashkia Devoll, vijon zjarri në një sipërfaqe pyjore, ku po punojnë rreth 70 forca vendore të MZSH, bashkisë dhe vullnetarë.

Vatra në monitorim

Skrapar (Bogovë) – Zjarri në pyllin me pisha është vënë nën kontroll, ndërsa po mbahet në monitorim nga forcat zjarrfikëse dhe bashkiake.

Pezë Helmës, vatra të izoluara në zonën e Kodrave të Caushit po vijojnë të monitorohen.

Korçë (Parku Natyror Gërmenj)

Vatra e riaktivizuar në zonën e piramidave 14–15 është izoluar dhe po monitorohet nga forcat operacionale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit, bashkitë, Forcat e Armatosura dhe vullnetarët mbeten të angazhuar në terren për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve”.